Analizë

Analizë: “Koha po ngushtohet” për Ballkanin

Mospërfillja dhe premtimet boshe të Brukselit kanë hapur rrugën për tensione të reja dhe kësaj radhe bart potencialin që të përhapen jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën

Yahya Muhasiloviç  | 20.09.2016 - Përdıtësım : 20.09.2016
Analizë: “Koha po ngushtohet” për Ballkanin

Stamboll

STAMBOLL (AA) - YAHYA MUHASİLOVİÇ

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kroaci po tregojnë se mundësitë që ndodhen përballë këtij shteti nuk janë edhe aq të ndritshme. Pasi që nuk pati një qeveri të re jetëgjatë, zgjedhjet u përsëritën. Partia nacionaliste HDZ (Bashkësia Demokratike Kroate), e cila zgjedhjet i fitoi me një diferencë të vogël, do të jetë e detyruar ta kërkojë partnerin e koalicionit që ta formojë një qeveri funksionale. E krijuar nga presidenti i parë i Kroacisë Franjo Tudjman, HDZ është parti e krahut të djathtë anëtarët e së cilës nuk e fshehin dashurinë për ustashët “e famshëm” në organet dhe tabanin administrativ.

Ustashët ishin një organizatë e cila kishte shkaktuar vrasjen e qindra mijëra personave gjatë Luftës së Dytë Botërore në rajon. Njëri nga personat e spikatur i cili nuk e fsheh simpatinë e tij ndaj ustashëve është edhe ministri i Kulturës Zlatko Hasanbegoviç. Më me rëndësi se kjo është pyetja, ashtu siç pyet edhe Paul Mason në artikullin e tij në "The Guardian", se në çfarë drejtimi po e çon rajonin triumfi i HDZ-së në zgjedhje. Mason dha një paralajmërim në lidhje me nacionalizmat në rritje në rajon. Fitorja e HDZ-së përkon me kohën kur lëvizjet e djathta në tërë Evropën kanë fituar intensitet. Në thelb, ky intensitet u shkaktua nga vala e refugjatëve të cilët erdhën nga vendet e shkatërruara nga luftrat në Lindjen e Mesme; ndërkaq, refugjatët të cilët rrodhën si një lumë drejt Evropës, përdorën Gadishullin Ballkanik si rutë të tyren kryesore.

E kur bëhet fjalë për trallisjen e zgjedhjeve, qeveria e re do ta mbartë udhëheqësinë e shtetit drejt një procesi në të cilin marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Beogradit kanë pësuar tendosje. Nga ana tjetër, vendi fqinj Bosnjë dhe Hercegovina dita-ditës po afrohet drejt një referendumi të paralajmëruar nga lidershipi i serbëve në këtë vend, i cili ka potencialin e nxitjes së një konflikti të ri ndëretnik brenda shtetit. Nëse shikohet nga prizmi se dhjetë përqidnëshi i popullatës së Bosnjës është me përkatësi etnike kroate, mund të parashihet që Zagrebi do ta ndjekë me kujdes të madh procesin e këtij referendumi.

Si shtesë ndaj “bllokadës politike” nëpër të cilën kaloi Kroacia gjatë dhjetë muajve të fundit, gjendja socio-ekonomike në vend po merr një pamje të brendshme të zbehtë çdo ditë e më shumë. Me 16 përqind, Kroacia ka nivelin më të lartë të papunësisë në Bashkimin Evropian (BE) pas Greqisë dhe Spanjës. Papunësia në disa rajone të vendit arrin madje edhe deri në 40 përqind, ndërkohë që ky ndryshim nga rajoni në rajon tregon për një zhvillim të çekuilibruar. Ndërkaq, kjo gjendje ka gjeneruar një valë migrimi mendjesh, i cili do të jetë më i larti në mesin e shteteve anëtare të BE-së.

Pas anëtarësimit të Kroacisë në bllokun evropian, klasa e mesme e arsimuar mirë arriti kulmin me përqindjen e migrimit. Sipas të dhënave të Byrosë Gjermane Federale të Statistikave, Gjermania ka pranuar afërsisht 50 mijë kroatë në vitin 2015. Që nga hyrja e Kroacisë në BE në vitin 2013 e deri më tani, vetëm në Kroaci kanë migruar thuajse 120 mijë kroatë, shifër kjo e cila përkon me përafërsisht tre përqindëshin e popullsisë së Kroacisë. Këto shifra tregojnë haptazi se sa është emergjente zgjidhja e çështjes së migrimit.

Popullsia 4,8 milionëshe e Kroacisë në fillim të viteve nëntëdhjetë aktualisht ka rënë në 4,2 milionë, ndërkohë që sipas supozimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), kjo shifër do të bjerë deri në 3,5 milionë në vitin 2050. Luftrat, shkalla e ulët natyrore e zhvillimit dhe emigrimi nga rajoni, e kanë ulur numrin e popullsisë në nivele alarmante. Edhe Kroacia nuk përjashtohet nga problemet e njëjta nga të cilat vuan rajoni. Krahas nivelit të ulët të rritjes natyrore të popullsisë, rajoni po ashtu po përjeton një traumë socio-ekonomike nga mundësia e humbjes së të rinjve për shkak të migrimit ekonomik; migrimi ekonomik po shpërfillet me të madhe nga ana e fuqive ekonomike perëndimore, sepse vëmendja e këtyre fuqive aktualisht është në refugjatët që vijnë nga Lindja e Mesme. Refugjatët sirianë, afganë dhe irakianë, së bashku me refugjatët që vijnë nga Ballkani, përbëjnë grupin më të madh.

Heshtje para referendumit në Bosnjë

Në Bosnjën fqinje, nga ana tjetër, të gjithë sytë janë kthyer kah referendumi që do të mbahet më 25 shtator. Pasi që Gjykata Kushtetuese dha vendimin që programet e përkujtimit të ditës së “Republika Sërpska” nuk janë në përputhje me kushtetutën, kryetari populist i entitetit serb Milorad Dodik, vendosi që çështjen ta çojë në referendum. Meqenëse referendumi do të bëhet në pjesën me shumicë serbe të vendit, nuk është e vështirë të parashikohet rezultati. Liderët boshnjakë janë të shqetësuar se referendumi paraqet hap parapërgatitor drejt një referendumi të ardhshëm për ndarje. Dodik, gjatë fjalimeve të tij populiste, shpesh herë ka plasuar kërcënime për ndarje, megjithëse asnjëherë nuk kishte shkuar aq larg sikurse kësaj here. Ky hap konkret vjen në kohën kur aleati i afërt i Dodikit, Rusia, tanimë po praktikon një politikë agresive të jashtme në rajon dhe në tërë Evropën. Moska, ashtu sikurse u përpoq të ndërhyjë në Maqedoni në krizën që e ka përfshirë vendin me qeverinë e Gruevskit, po ashtu nuk është e vështirë të parashihet se do ta shfrytëzojë këtë si një rast të mirë në luftën e ftohtë që po e zhvillon me Evropën përmes aspektit demografik.

Pas shpërthimit të krizave me Ukrainën dhe Krimenë, pritej një politikë më e ashpër nga Banja Luka (qendra administrative e serbëve të Bosnjës). Shumë persona kishin pritur që BE dhe NATO të merrte një qëndrim më të vendosur dhe të tregojë përpjekje më serioze për pengimin e një krize të tillë. Edhe pse Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), e themeluar nga OKB-ja, posedon kompetenca për pengimin apo nxitjen e proceseve politike në Bosnjë, u mjaftua vetëm duke i kritikuar veprimet e Dodikit. Ngelet të shihet se çfarë do t’i sjellë 25 shtatori Bosnjës, e cila për një kohë të gjatë ka pësuar lëkundje në aspektin etnik.

Po ashtu, nuk është e vështirë të shihet se Dodik po përfiton nga boshllëku që është krijuar si pasojë e mungesës së angazhimit të perëndimit ndaj ngjarjeve. Si rrjedhojë, shumë persona të tjerë e ndajnë të njëjtin mendim. Ashtu siç deklaroi Kryetari i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker se zgjerimi i BE-së ngelet i ngrirë në pesë vitet në vijim, deklaratat e drejtpërdrejta dhe të farkëtuara nga Brukseli po i zhdukin grimcat e fundit të shpresës që ka ngelur në rajon. Nëse i marrim parasysh marrëdhëniet e afërta mes Banja Lukës dhe Moskës, Evropa nuk mund të rrezikojë edhe një krizë të re të tipit të Ukrainës në mes të fqinjëve të saj më të afërt. Sikurse u shpreh ditën e premte kancelarja gjermane Angela Merkel në Samitin e BE-së në Bratislavë, posaçërisht në këtë “pikë kritike” nuk mund të lejohet një krizë e re, veçanërisht në një periudhë kohore kur Evropa po përpiqet t’i shërojë plagët e tronditjes “Brexit” dhe kur ajo po përballet me një krizë ekzistenciale të shkaktuar nga nacionalizmat të cilat po e hedhin në zjarr idealin e “Evropës së Bashkuar”.

Maqedonia është një shembull tjetër ku qëndrimi pasiv dhe i butë lejoi një konflikt të armatosur. Vitin e kaluar, një grup me përkatësi etnike shqiptare hynë në konflikt të armatosur me forcat e sigurisë së Maqedonisë në qytetin e Kumanovës. Shkaku kryesor i konfliktit ishte trajtimi i keq dhe diskriminues i maqedonasve ndaj shqiptarëve. Njëlloj sikurse në Bosnjë pas Dejtonit, edhe Maqedonia dita-ditës po formësohet në linja etnike dhe 'status-quo'-ja tashmë nuk po sjell asnjë dobi. Nga ana tjetër, kriza me Greqinë për shkak të emrit është një tjetër çështje e cila nuk po zgjidhet prej dhjetëra vitesh dhe e cila ka bllokuar aspiratat evropiane të vendit.

Brukseli mund dhe duhet të ushtrojë presion më të fuqishëm ndaj Athinës që të mos bëhet pengesë ndaj integrimit të Maqedonisë në strukturat e BE-së. Në të kundërtën, ardhmëria e vendit nuk duhet e mirë. Kryengritja e vitit 2015 është shenjë e kësaj. Së bashku me Greqinë dhe Serbinë, Maqedonia ishte rrugë kryesore për migrantët të cilët u përpoqën të arrijnë në Evropën Qendrore, me çka luajti rrol të rëndësishëm në krizën e refugjatëve vitin e kaluar. Kjo krizë, shfaqi edhe njëherë para syve rëndësinë që ky rajon ka për kontinentin. Aktualisht, i gjithë fokusi është kthyer kah marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë për ndaljen e valës së refugjatëve që rrodhi drejt Evropës. Mospajtimet e kohëve të fundit mes Ankarasë dhe Brukselit kërcënojnë marrëveshjen e arritur mes tyre; gjersa rajoni veçmë është gllabëruar nga shkalla e lartë e papunësisë dhe sentimenti nacionalist dhe gjersa valët e mundshme të reja të migrantëve vetëm se do t’i fryjnë edhe më shumë ksenofobisë, kjo gjendje mund të prodhojë rezultate katastrofale në rajon.

Me kalimin e viteve, në rajon po rritet ndjenja e të qenët i braktisur. Pas mbarimit të luftrave, (në Ballkan) u dha premtimi i një perspektive Evropiane, megjithkëtë, procesi po ecën në mënyrë të ngadaltë. Shtetet si Bosnjë dhe Hercegovina dhe Maqedonia ende nuk kanë arritur t’i zgjidhin problemet ekzistenciale. Bota po ndryshon me shpejtësi të madhe, ndërkohë që Brukseli i cili është i zënë me problemet e veta, nuk e ka mundësinë që t’i ndjekë këto ndryshime.

Grupimet e pushteteve në botë dhe lufta e ftohtë po mundësojnë një mjedis të përkryer për rritjen e tensioneve në Ballkan. Urrejtja ndëretnike, niveli i lartë i papunësisë, hapësira publike e politizuar, migrimi, korrupsioni kronik dhe shumë probleme të tjera, po i shtojnë tensionet. Mospërfillja dhe premtimet boshe të Brukselit kanë hapur rrugën për tensione të reja dhe kësaj radhe bart potencialin që të përhapen jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën. “Koha po ngushtohet” dhe rajoni ka kohë që po qëndron duke pritur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın