Analizë, BALLKANI

MPJ e Shqipërisë dënon sulmin ndaj Muzeut të Alfabetit në Manastir

Përmes një deklarate me shkrim, MPJ ka kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij "akti vandal dhe dënimin e autorëve"

Malik Hasa  | 07.03.2017 - Përdıtësım : 07.03.2017
MPJ e Shqipërisë dënon sulmin ndaj Muzeut të Alfabetit në Manastir

Tiranë

TIRANË (AA) - Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka dënuar sulmin e ditës së sotme ndaj Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, raporton Anadolu Agency (AA).

Përmes një deklarate me shkrim, MPJ ka kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij "akti vandal dhe dënimin e autorëve".

"Sulmet e përsëritura ndaj Muzeut janë dëshmi e kërkesës për mbrojtje më efektive të kësaj trashëgimie të përbashkët nga autoritetet kompetente. Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, frika, mungesa e informacionit dhe retorika e dëmshme e kohëve të fundit", thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Ndërsa duke theksuar se historia, tradita, gjuha e kultura e popullit shqiptar janë vlerë e shtuar për fqinjët në Maqedoni dhe se ruajtja e tyre tregon vlerat më të larta demokratike e njerëzore, MPJ vlerëson se "Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë."

MPJ iu ka bërë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe ka theksuar se sulme të tilla shpërqendrojnë vëmendjen nga problemet reale të vendit, si dhe dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Kujtojmë se sot Muzeu i Alfabetit Shqip në Manastir është sulmuar, duke u dëmtuar fasada, dera hyrëse dhe një dritare. 



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.