Analizë

Mungesa e perspektivës detyron të rinjtë të shpërngulen

- Shpërngulja e të rinjve nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria është shndërruar në një dukuri shqetësuese. Një pjesë e madhe e të rinjve perspektivën e tyre e shohin jashtë vendlindjes.

Bekim Laci, Sibel Vezaj, Fatjon Cuka  | 17.07.2016 - Përdıtësım : 18.07.2016
Mungesa e perspektivës detyron të rinjtë të shpërngulen ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Shkup/Prishtinë/Tiranë

SHKUP/PRISHTINË/TIRANË (AA) - Shpërngulja e të rinjve nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria është shndërruar në një dukuri shqetësuese. Një pjesë e madhe e të rinjve perspektivën e tyre e shohin jashtë vendlindjes.

Mungesa e zhvillimit të shoqërisë dhe mospasja e një oferte janë dy nga arsyet kryesore përse të rinjtë ardhmërinë e tyre nuk e shohin në vend por diku jashtë, në shtetet e perëndimit, flasin të dhënat nga hulumtimet e fundit të kryera në Maqedoni të cilat ngrenë alarmin për nevojën e përpilimit të politikave shtetërore të cilat potencialin rinor do ta mbanin të qëndrojë dhe të kontribuojë në vendlindje.

- Nga numri i papunëve në Maqedoni 50 përqind janë të rinj -

Profesori universitar Petar Atanasov, i përfshirë në hulumtimin e fundit të publikuar nga Progres instituti për demokraci sociale për Anadolu Agency (AA) thotë se hulumtimi i fundit ka nxjerr në pah se motivet që shtyjnë të rinjtë të largohen janë arsimi jocilësor dhe vendet e punës me paga të ulëta ku nga 900 të anketuar, 45 përqind e tyre kanë thënë se do të shpërnguleshin nga Maqedonia.

“Të rinjtë nuk e marrin atë që ju nevojitet, nuk kanë arsim cilësor dhe nuk kanë vende pune që paguhen mirë, ndonjëherë nuk kanë punë fare, dhe kështu nuk mund të realizojnë ëndrrën e tyre për perspektivë dhe zhvillim, një vend pune me të cilin do të bënin diçka për vete në aspektin profesional. Në përgjithësi, shoqëria në Maqedoni nuk ofron perspektivë për të rinjtë, nga numri i të papunëve 50 përqind janë të rinj", tha ai.

Enti Shtetëror i Statistikave në Maqedoni nuk posedon numër të saktë të të shpërngulurve nga vendi. Në një sqarim për AA, zyrtarë të saj thanë se mospasja e shifrave ka të bëjë me faktin se shtetasit e Maqedonisë që shpërngulen nuk bëjnë lajmërimin nga Maqedonia nga frika se do të humbin statusin e shtetasit të Maqedonisë të cilin e mbajnë rezerv nëse nuk arrijnë të sistemohen në shtetin ku shkojnë.

Shifrat zyrtare flasin se në vitin 2015 gjithsej 767 qytetarë janë shpërngulur nga vendi.

"Procesi i shpërnguljes nga Maqedonia është negativ sepse shumë nga ata nuk mendojnë fare për kthim në vendlindje duke bërë Maqedoninë të humb një shtresë progresive dhe të frytshme e cila në 10 apo 20 vitet e ardhshme duhet të nxjerr vendin në një jetesë dhe në rrjedha më të mira shoqërore”, thotë Atanasov i cili duke iu referuar organizatave të ndryshme siç është Banka Botërore, thotë se flitet për rreth 500-600 mijë të shpërngulur nga vendi.

- Emigrimi i kosovarëve gjatë vitit 2015, më i madhi që nga pas lufta e vitit 1999 -

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin e vlerësimit të popullsisë së vitit 2015, ku shihet se në fund të muajit të këtij viti ka pasur një rritje të theksuar të emigrimit. Sipas këtij raporti numri i emigrantëve, pra të larguarve kosovarë gjatë vitit 2015 ishte 74 mijë e 434 persona.

Përkundër asaj që bilanci i migrimit ishte minus 55 mijë e 572 dhe se kishte një shtim natyror prej 22 mijë e 232 banorëve, popullsia rezidente e Kosovës për shkak të emigrimit të theksuar në vitin 2015 u zvogëlua për më shumë se 30 mijë banorë. Në bazë të këtyre numri i popullsisë rezidente e Kosovës, është 1 milion e 771 mijë e 604 banorë.

Drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa në një deklaratë për AA u shpreh se në raport me popullsinë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të publikimit “ Migrimi Kosovar” i vitit 2014, 21.4 për qind e popullsisë jetojnë jashtë Kosovës. Ai shtoi se mendohet që numri i të emigruarve është edhe më i madh, dhe që ky numër mund të shtohet pas liberalizimit të vizave.

Bellaqa njoftoi se numri më i madh i emigrantëve kosovarë, gjegjësisht 35 përqind i tyre jetojnë në Gjermani, e pastaj vijnë vendet si Zvicra, Italia, Kanada e Australia.

Si arsye kryesore të emigrimeve të kosovarëve, në kuadër të rezultateve të hulumtimeve të bëra, Bellaqa u shpreh se janë lidhjet familjare, pra martesa dhe ribashkimi familjar, pas së cilës vjen punësimi dhe arsimimi.

“Si rezultat i emigrimit ndikojnë faktorë të shumtë, si faktori ekonomik, politik dhe social. Edhe njeriu është si çdo gjallesë tjetër, ku ka kushte më të mira, standard më të mirë, të ardhura më të mira, shkollim më të mirë, si dhe çështjet tjera, ka mundësi që të lëvizë. Kjo dukuri nuk është vetëm në shtetin e Kosovës, por në të gjitha shtetet ka emigracion” u shpreh Bellaqa.

Duke theksuar se Kosova dallohet nga popullsia e shteteve të rajonit, e cila i takon moshës së re, Bellaqa e shpreh se grupmosha e cila dominon në aspektin e emigrimit është grupmosha 30-34 vjeçare, e cila dihet se i takon më shumë fuqisë punëtore.

Ndërkohë Aurela Spahiu, një qytetare e Prishtinës e moshës 24 vjeçare, u shpreh se do të donte që të emigronte në një vend tjetër jashtë Kosovës, sepse vendet tjera evropiane mundësojnë kushte shumë më të mira jetësore, profesionale e akademike.

“Papunësia është shumë e madhe. Edhe nëse e gjen një punë rrogat janë tepër të vogla, pastaj si femër suksesi në karrierë është më i ulët sepse paragjykimet ndaj femrës janë të mëdha dhe profesionizmi është në nivel të ulët” u shpreh Spahiu.

- Emigracioni, arsyeja kryesore për rënien e popullsisë në Shqipëri

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), kanë realizuar shpesh studime të ndryshme për gjendjen dhe perspektivat e popullsinë në Shqipëri. Kohët e fundit në mesin e këtyre studimeve është edhe studimi “Të rinjtë në Shqipëri: Sfidat në kohët që ndryshojnë”.

Popullsia e Shqipërisë sipas INSTAT më 1 janar 2016 rezulton me shifrën 2.886.026 banorë duke pësuar një rënie prej 6.276 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2015. Në vitin 2015, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 42.922 persona ku 52,6 për qind e zinin meshkujt. Migracioni neto gjatë vitit të kaluar ka qenë -17.076. Rrjedhimisht popullsia e Shqipërisë ka pësuar një rënie prej 6.277 personash (10.799 shtesa natyrore -17.076 migracioni neto).

Emigracioni është arsyeja e vetme kryesore për rënien e popullsisë në Shqipëri përpara vitit 2001 dhe ndërmjet viteve 2001 dhe 2011, ndërkohë që për të rinjtë arsyeja kryesore e largimit të tyre nga Shqipëria është papunësia, ndërsa të pakta janë rastet e largimit për arsye studimesh apo shëndetësore.

Sipas studimit të INSTAT dinamikat e jetës kanë sjellë ulje të lindshmërisë në Shqipëri nga indeksi më i lartë në Evropë, në nivelin aktual me 1.7 fëmijë për grua. Nisur nga kjo, përbërja e popullsisë së Shqipërisë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore midis periudhave të censuseve të vitit 1979 dhe 2011, duke ulur numrin e të rinjve dh fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga 37 përqind në vetëm 21 përqind të popullsisë.

Vlerësohet sipas studimeve se 225 mijë të rinj kanë emigruar në periudhën ndërmjet censusit 2001-2011, shumica në Itali dhe Greqi. Kjo shifër sipas INSTAT përfaqëson një faktor të rëndësishëm në rënien e përgjithshme të popullsisë me pothuajse 9 përqind në këtë periudhë.

Për shkak të efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë, dhe emigrimit në rritje i të rinjve, përqindja e të moshuarve në popullsi 65 vjeç e lart, në periudhën 1989 deri në vitin 2011 është rritur nga 5 për qind në 11 për qind, evidenton studimi i dytë i Institutit të Statistikave mbi mplakjen e popullsisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın