Analizë

Publikohet raporti për islamofobinë në Maqedoni gjatë vitit 2015

Në Maqedoni ka diskriminim në bazë të fesë, përfshirë islamofobinë e cila ekziston së bashku me ndarjen e shoqërisë në baza etnike dhe politike

Bekim Laci  | 08.06.2016 - Përdıtësım : 09.06.2016
Publikohet raporti për islamofobinë në Maqedoni gjatë vitit 2015

Shkup

SHKUP (AA) - Në Maqedoni ka diskriminim në bazë të fesë, përfshirë islamofobinë e cila ekziston së bashku me ndarjen e shoqërisë së Maqedonisë në baza etnike dhe politike në vitin të cilin e karakterizoi kriza politike. Megjithatë, islamofobia shpesh mbetet e padetektuar sepse mbulohet nga forma të tjera të përhapura të diskriminimit, thuhet në përmbledhjen përfundimtare të raportit Kombëtar për islamofobinë në Maqedoni gjatë vitit 2015, nga autori Mitre Georgiev, një luftëtar i të drejtave të njeriut, avokat dhe hulumtues, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sikundër përkufizohet nga Kushtetuta, Maqedonia është një shtet sekular, megjithatë feja luan një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe atë politike, thuhet në raport.

Në 2015-tën, vit që u shënua nga një krizë politike, diskriminimi mbi bazë feje përfshirë islamofobinë ishte i pranishëm në Maqedoni, një vend ky që është gjithashtu i ndarë përgjatë linjave entike dhe politike. 

Megjithatë, islamofobia shpesh nuk njihet si një problematikë duke qenë se ajo bëhet e padukshme nga aktorë të tjerë më dominant të diskriminimit” thuhet në raportin e publikuar ku nënvizohet se kriza e refugjatëve në vitin 2015 tregoi se islamofobia në kontekstin maqedonas nuk është e lidhur ekskluzivisht me pakicat etnike, por gjithashtu edhe me ksenofobinë.

Krahas ndërthurjes së faktorëve, një mangësi informacioni relevant, përfshirë raportimin e mangët, është një tjetër faktor që i shtohet kompleksitetit të problematikës së të raportuarit të islamofobisë në Maqedoni. Ky raport është shkruar pas një analize të raportimeve mediatike, punës kërkimore në kompjuter mbi mediat relevante, raportimeve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Incidentet dhe zhvillimet që janë relevante për ekzistencën e islamofobisë në Maqedoni në vitin 2015 mund të lidhen me disa ngjarje të ndryshme në rrafsh global. 

Ngjarjet globale kanë patur një ndikim më të madh mbi diskursin dhe zgjatimin e islamofobisë në Maqedoni; këto përfshijnë sulmet e Charlie Hebdo, prezencën e luftëtarëve huaj dhe debatin rreth tyre, krizën e refugjatëve (e cila ka prekur Maqedoninë, si pjesë e Itinerarit të Ballkanit, në një mënyrë mjaft të veçantë, me një numër të madh refugjatësh që kalojnë nëpërmjet këtij vendi të drejtuar për në BE) dhe sulmet në Paris në nëntor. 

Ka shumë mundësi që islamofobia të jetë e pranishme në të gjitha segmentet e shoqërisë, e megjithatë është më tepër e vështirë për t’u dalluar në fushën e punësimit, arsimimit apo në sistemin e drejtësisë. 

Monitorimi i islamofobisë në fushën e politikës, medias dhe rrjeteve sociale sjell në sipërfaqe deklarata më haptazi islamofobike, deklarata këto që lipset të dënohen. Rekomandimi në lidhje me ngjarjet diskursive që përmbajnë elementë islamofobikë përfshin njohjen, dekonstruksionin dhe diskutimin në publik, si edhe debatin e moderuar dhe të informuar, thuhet në raport.

Autori Georgiev shkruan në raportin e tij se për të kuptuar islamofobinë në Maqedoni, duhet marrë në shqyrtim struktura demografike dhe situata politike në vend. Diskriminimi mbi bazat e fesë, më konkretisht, diskriminimi ndaj muslimanëve, në kontekstin maqedonas është i ndërthurur me shtysa të tjera të diskriminimit, siç është etnia, shtetësia, opinioni politik, gjuha apo klasa.

“Pavarësisht nga kjo, islamofobia në këtë raport përkufizohet si më e gjerë se sa diskriminimi ndaj muslimanëve, duke përfshirë këso dore çdo paraqitje të frikës apo paragjykimit ndaj muslimanëve, pavarësisht nga fakti nëse ata janë thjesht të perceptuar si të tillë. 

Krahas ndërthurshmërisë, mungesa e informacioneve relevante, përfshirë raportimin e mangët, apo nënraportimin, është një tjetër faktor që i shtohet kompleksitetit të problematikës së raportimit të islamofobisë në Maqedoni. 

Ndërkohë që raportimi i mangët është një problematikë më universale, mungesa e informacionit në kontekstin maqedonas është e ndërlidhur me disfunksionalitetin e rëndë të institucioneve shtetërore, një çështje që duhet të merret në shqyrtim” shkruan mes tjerash në raport.

Shumica e shifrave relevante në lidhje me strukturën demografike në Maqedoni janë të vjetruara, meqenëse ato lidhen me censusin e vitit 2002. Normalisht, censusi ndërmerret çdo dekadë, por censusi që duhet kishte ndodhur në vitin 2011 u anulua përpara se të përfundohej për shkak të rrethanave polemizuese.

Ndonëse nuk pati asnjë shpjegim formal, pati një dorëheqje kolektive të anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Censusit pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet partnerëve qeveritarë.

Të dhënat nga censusi i vitit 2002 zbulojnë se 64.7 përqind e popullsisë është e krishterë ortodokse, ndërsa 33.3 përqind e identifikojnë veten si muslimanë. Popullsia totale në censusin e vitit 2002 ishte 2.022.547, ndërkohë që Zyra Statistikore Shtetërore vlerëson se popullsia e përgjithshme në Republikën e Maqedonisë në vitin 2015 ishte faktikisht 2.069.172. Fe të tjera janë katolikët dhe protestantët. 

Struktura etnike është e rëndësishme për të kuptuar islamofobinë në Maqedoni. Sërish, të vetmet të dhëna relevante janë nga censusi i vitit 2002, në të cilin 64 përqind e vendit e identifikonin veten si maqedonas, 25 përqind si shqiptarë, 3.8 përqind si turq, 2.6 përqind si romë, 1.8 përqind si serbë, 0.8 përqind si boshnjakë, dhe 0.1 përqind muslimanë.

Në raport nënvizohet karakteri ndërthurës i diskriminimit që përcaktohet nga faktori që ndasia fetare ndërlidhet me ndasinë etnike. Pjesa më e madhe e maqedonasve etnikë janë të krishterë ortodoksë, ndërkohë që pjesa më e madhe e shqiptarëve janë myslimanë; Islami është gjithashtu feja për shumicën e turqve, romëve, boshnjakëve dhe muslimanëve maqedonas.

Marrëdhënia ndërmjet shumicës etnike, maqedonasve, dhe bashkësië së dytë etnike, shqiptarëve, është e shënuar nga intoleranca etnike, konflikti, dhe tensionet politike, thuhet në raportin kombëtar për islamofobinë në Maqedoni gjatë vitit 2015.

- Diskriminimi në tregun e punës -

Është e vështirë që të flitet në lidhje me diskriminimin në tregun e punës duke u bazuar mbi identitetin e supozuar musliman të një personi individual kryesisht për shkak të ndërthurshmërisë me faktorë të tjerë dhe gjithashtu për shkak të faktit se ka një raportim të mangët.

Hulumtimi i OSBE-së i vitit 2013 në lidhje me diskriminimin në njoftimet për punë as që nuk e përdor fenë si bazë; kjo mund të shpjegohet nga fakti i thjeshtë se në njoftimet e shkruara është e lehtë që të fshihet diskriminimi mbi baza fetare.

Megjithatë, sipas detyrimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë monitoron përfaqësimin e barabartë të pakicave të ndryshme etnike në organizmat publikë.

Në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2014, thuhet se të dhënat sasiore tregojnë se ka patur një rritje si në numrin absolut të të punësuarve në organizma dhe institucione publike, ashtu edhe në përqindjen e bashkësisë etnike shqiptare.

Megjithatë, nuk ka asnjë progres për numrin e shqiptarëve të punësuar në pozicione manaxheriale, dhe përfaqësimi i pakicave të tjera publike në institucionet publike nuk është ende as i barbartë dhe as i mjaftueshëm.

Një tjetër çështje që mund të ndërlidhet me punësimin janë ditët e pushimit të bankave. Ka një trajtim të ndryshëm për fe të ndryshme në çështjen e ditëve të pushimit të bankave, të cilat janë të rregulluara nga Ligji mbi Ditët e Pushimit të Bankave.

Ligji përkufizon ditët shtetërore të pushimit dhe ditët e pushimit të Republikës së Maqedonisë, si edhe ditët e tjera jo të punës, të cilat janë specifike për fe të ndryshme apo pakica të ndryshme etnike.

Ka 5 ditë jo-pune për besimtarët në fenë ortodokse krahas ditëve shtetërore të pushimit dhe ditëve të pushimit të Republikës së Maqedonisë, dhe një ditë jo-pune për myslimanët. Asnjëra prej ditëve shtetërore të pushimit nuk janë të lidhura me Islamin, ndërkohë që ka dy ditë të tilla të ndërlidhura me shenjtorët ortodoksë, Shën Kirili dhe Metodi, si dhe Shën Klementin e Ohrit.

Ditët e pushimit të Republikës së Maqedonisë përfshijnë Vitin e Ri, Krishtlindjet, Pashkët, 1 Majin, dhe Bajramin e Ramazanit.

Ndonëse është e mundur që të thuhet se ky trajtim i ndryshëm është njëlloj diskriminues për të gjitha fetë e tjera, duhet mbajtur mend se Islami është feja e së paku një të tretës së popullsisë.

-Roli i Mediave -

Mediat kanë një rol mjaft të fuqishëm si një agjent ose në promovimin ose në ndrydhjen e islamofobisë, thuhet në raportin për islamofobinë në Maqedoni. Sipas tij, në Maqedoni shteti dhe politikanët kanë një ndikim të madh mbi mediat, që bashkë me faktorë të tjerë shpie në një përkeqësim të standardeve profesionale dhe mediatike. Gjuha e urrejtjes nga zyrtarët politikë dhe nga shefat e mediave shpesh nuk raportohet në mënyrë kritike në media.

Në rastin e të raportuarit të krizës së refugjatëve në median maqedonase, islamofobia u ndrydh më tepër si një përjashtim se sa si rregull. Ka patur rregullisht nxitje për frikë, ksenofobi dhe islamofobi kur është raportuar mbi refugjatët.

- Fjalori i urejtjes në hapsirën e internetit -

Hapësira kibernetike në gjuhën maqedonase është një vend ku gjuha e urrejtjes dhe paragjykimet shfaqen shpesh, dhe ku ka abuzim të lirisë së shprehjes. Në gamën e gjerë të gjuhës diskriminuese, mund të gjenden komente dhe deklarata islamofobike.

Në forumet e internetit, ka shpesh diskutime në lidhje me Islamin; ka disa praktika të mira në të cilat moderatorët përkujdesen që diskutimi nuk zhvendoset në fyerje të hapura dhe nxitje për dhunë dhe urrejtje.

Islamofobia dhe Shqiptarofobia janë të pleksura me njëra tjetrën, shpesh, etiketime specifike përdoren kundër muslimanëve, si ‘seçen’ (të rrethprerë, të bërë synet) apo ‘zabulena’ (që veshin hixhab ose burka), të cilat përdoren për t’iu referuar shqiptarëve/muslimanëve.

- Rekomandime për tejkalimin e islamofobisë

Islamofobia shpesh shfaqet në Maqedoni e ndërlidhur apo madje edhe e përzier me forma të tjera të diskriminimit dhe paragjykimeve. Ndonëse kjo shpie në neglizhimin e Islamofobisë apo lënien e saj pa u vënë re, është e rëndësishme që Islamofobia të adresohet si pjesë e tensioneve të fuqishme etnike dhe politike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Është mjaft e rëndësishme që politikanët të vetëpërmbahen nga gjuha e urrejtjes islamofobe dhe të mos e përdorin atë gjatë fushatave elektorale; por është njëlloj apo madje edhe më e rëndësishme që të dënohet çdo ligjërim i tillë publik.

Gjithashtu është e rëndësishme që të diskutohen ngjarjet dhe çështjet që mund të prekin islamofobinë, si refugjatët, terrorizmi apo siguria. Është jetike që një diskutim i tillë të jetë i informuar dhe i moderuar.

Ngjashëm, si me dispozitat e miratuara për të garantuar përfaqësim të barabartë në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe të tjera zgjidhje të ngjashme legjislative, miratimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm për të adresuar tensionet dhe diskriminimin.

Gjithashtu rekomandohet që ndjesitë apo shqetësimet e mundshme islamofobe të adresohen, përndryshe ato janë “të hapura për shfrytëzim sipas kapriçove të politikanëve oportunistë”.

Raportimi i mediave sensacionaliste duhet shkurajuar dhe kundërshtuar me dënim, informacion dhe diskutim.

Organizatat joqeveritare që janë të shqetësuara me antidiskriminimin dhe të drejtat e njeriut duhet të marrin në konsideratë rritjen e mundshme të islamofobisë dhe ta adresojnë atë.

Në fund, rritja e kapaciteteve demokratike dhe sendërtimi i besimit ndërmjet të gjithë aktorëve të ndryshëm, duke filluar nga institucionet, politikanët, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e feve të ndryshme duhet të jetë një mjet kyç në luftën ndaj islamofobisë.

Raporti Evropian mbi Islamofobinë (EIR) është një raport vjetor, i cili është hartuar për herë të parë këtë vit, dhe i referohet 2015-tës. Aktualisht paraqet një koleksion të 25 raporteve kombëtare për secilin vend dhe paraqet një pasqyrë të zhvillimit të islamofobisë në çdo shtet veçmas. EIR është publikuar nga SETA - Fondacioni për Studime Politike, Kërkime Ekonomike dhe Shoqërore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın