Analizë, BALLKANI

Shkup, studentët më të suksesshëm të IBU vizituan kampusin e ri

Në takim, gjashtë studentë më të suksesshëm të drejtimeve në të cilat kanë studiuar si dhe studentja më e suksesshme e vitit akademik 2016/2017 rrëfyen rrugëtimin e tyre gjatë studimit

Dzihat Aliju  | 25.05.2017 - Përdıtësım : 25.05.2017
Shkup, studentët më të suksesshëm të IBU vizituan kampusin e ri ( Vedat Abdul - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) - Studentët më të suksesshëm të vitit akademik 2016/2017 në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), në Shkup sot zhvilluan një takim me kryetarin e Bordit administrativ të universitetit, Hüseyin Bürge dhe me Rektorin e këtij universiteti, Prof. Dr. Ismail Kocayusufoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takim, gjashtë studentë më të suksesshëm të drejtimeve në të cilat kanë studiuar si dhe studentja më e suksesshme e vitit akademik 2016/2017 rrëfyen rrugëtimin e tyre gjatë studimit. Ndërsa Bürge, duke i informuar studentët për universitetin që nga themelimi i tij, u shpreh se për studentët më të suksesshëm të universitetit do të japin bursa për studime postdiplomike.

Më pas Bürge, Kocayusufoğlu dhe studentët zhvilluan një vizitë në kampusin e ri, në të cilin pritet që nga viti i ardhshëm akademik të zhvillohet procesi arsimor.

Bürge, në një deklaratë për gazetarët rikujtoi se me pjesëmarrjen e Ministrit të Arsimit të Turqisë, Ismet Yilmaz, me sukses e kanë organizuar ceremoninë e diplomimit.

Ai tha se me studentët më të suksesshëm të këtij viti akademik kanë zhvilluar një vizitë në hapësirat e kampusit të ri duke shtuar se ky kampus ka lënë një përshtypje të mirë tek studentët.

Bürge theksoi se IBU, i cili gjendet në zemër të Ballkanit, këtë vit ka organizuar ceremoninë e shtatë të diplomimit. "Thirrja jonë për të gjithë nxënësit është që të vijnë dhe të studiojnë këtu në gjuhën angleze. Mund të vini në një universitet i cili ka barazvlerësim me YOK (Këshilli i Arsimit të Lartë i Turqisë)", theksoi Bürge.

Ndërsa Rektori Kocayusufoğlu tha se ndien kënaqësinë për diplomimin e gjeneratës së shtatë si dhe për atë se këtë vit festojnë 10-vjetorin e themelimit të universitetit.

Ai i uroi studentët të cilët arritën me sukses të përmbushin sloganin e universitetit "Ne edukojmë udhëheqësit e së nesërmes".

Studentja nga Bujanoci, Besmira Selimi, u shpreh se ka diplomuar me sukses në drejtimin Gjuha Angleze dhe Studime Amerikane.

Ajo duke treguar se është zgjedhur si studentja më e mirë e vitit akademik 2016/2017, falënderoi të gjithë për mundësinë që i është dhënë për të arritur qëllimet e saj.

Selimi gjithashtu e falënderoi Republikën e Turqisë për iniciativën e këtillë për të përmirësuar situatën në Ballkan. 

"Gëzohem shumë të njoftoj se ky universitet u zgjodh universiteti më i mirë në sferën e arsimit, nga Klasifikimi Shangai, që është një institucion botëror. Gjithashtu është kënaqësi për mua që të ftoj të gjithë ata që duan të jenë të suksesshëm në ëndrrat e tyre si dhe të mësojnë gjuhën angleze, të studiojnë këtu", u shpreh Selimi.

Ajo shtoi se dëshiron të vazhdojë studimet e doktoraturës me të cilën do t'i kontribuojë vendlindjes së saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.