BALLKANI

“Do ta shndërrojmë turizmin e aventurës në markën më të re të Shqipërisë"

“Është shumë mbresëlënëse që 4 në 10 turistë në botë zgjedhin turizmin aventurës. Shqipëria është i pesti vend në Evropë për potencialet që ka për të zhvilluar turizmin e aventurës", tha Rama

Saimir Alija  | 08.12.2017 - Përdıtësım : 09.12.2017
“Do ta shndërrojmë turizmin e aventurës në markën më të re të Shqipërisë" Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë organizoi sot "Panairin e parë kombëtar të sporteve të aventurës", raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar me moton “Shqipëria e turizmit të aventurës” në Parkun Olimpik të Tiranës i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, si dhe përfaqësues të agjencive të turizmit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Rama gjatë fjalës së tij në aktivitet theksoi se Shqipëria është një vend me potencial mjaft të madh për të shfrytëzuar turizmin e aventurës.

“Është shumë mbresëlënëse që 4 në 10 turistë në botë zgjedhin turizmin aventurës. Shqipëria është i pesti vend në Evropë për potencialet që ka për të zhvilluar turizmin e aventurës. Turistët e aventurës janë realisht instrumenti më efikas i promovimit të destinacionit që kanë vizituar dhe janë promovues besnikë, të cilët rikthehen vazhdimisht aty ku gjejnë atë që ata kërkojnë, përmes këtij lloj turizmi. Dua t’i shpreh mirënjohjen atyre që janë këtu si praktikues, promovues dhe zhvillues të këtij turizmi dhe dua t’i siguroj që ne do të jemi në mbështetje të tyre dhe të aktiviteteve të tyre. Jemi të ndërgjegjshëm që këtu ka një potencial të madh zhvillimi ekonomik dhe punësimi”, deklaroi Rama.

Ndërsa ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, duke folur për bukuritë natyrore të Shqipërisë, theksoi se Shqipëria ka potencial të presë turistë në 12 muaj të vitit dhe sipas tij, duhen promovuar sa më shumë këto potenciale.

“Shqipëria ka natyrë, ka histori, ka 300 ditë diell, ka borë, ka male, ka lumenj e lugina, i ka të gjitha, por na duhet ti ruajmë ti promovojmë dhe zhvillojmë e ti bëjmë të aksesueshme. Është zgjedhur jo rastësisht 8 dhjetori për të hapur këtë epokë të re të mbështetjes dhe bashkëveprimit të sportit, turizmit dhe biznesit të turizmit të aventurës, sepse plot 27 vite më parë ishte një histori e guximit rinor, ajo që shndërroi dy epoka, dy botë dhe dy sisteme, ndaj bashkë me urimin, gëzuar ditën e rinisë, vjen dhe prezantimi i këtij dimensioni të ri turistik që është parë në vitalitetin dhe energjinë që gëzon brezi juaj, sepse kjo histori nuk është vetëm aventurë, nuk është vetëm natyrë", theksoi Klosi.

Ai tha se "kjo gjë në themelin e saj ka ekonominë. Sipas statistikave të Bankës Botërore në Shqipëri në vitin 2018 pritet të vijnë dyfish më shumë turistë të aventurës, të cilët në vitin 2017 kanë qenë 30 mijë".

Ministri Klosi tha më tej se kanë si objektiv që brenda vitit 2019 në Shqipëri të sjellin 100 mijë turistë të turizmit të aventurës, duke theksuar se “Do ta shndërrojmë turizmin e aventurës në markën më të re të Shqipërisë turistike. Në Shqipëri janë të evidentuar rreth 80 kanione për rafting nga veriu në jug, 80 shtigje për të ecur në këmbë e plot 74 ture për biçikleta”.

Në panairin njëditor marrin pjesë organizata dhe federata që promovojnë dhe praktikojnë sportet dhe turizmin e aventurës, si Federata Shqiptare e Aeronautikës, Federata Shqiptare e Kanotazhit, etj, duke prezantuar edhe mundësitë për turizmin dhe sportet e aventurës, por edhe mjetet e ndryshme për realizmin e këtyre sporteve.

Kujtojmë se 8 dhjetori në Shqipëri shënohet si Dita Kombëtare e Rinisë, dhe është festë zyrtare, e caktuar për nder të lëvizjes dhe protestave të studentëve të dhjetorit të vitit 1990 që solli rrëzimin e regjimit komunist.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın