BALLKANI

"Bashkëpunimi Shqipëri- Mali i Zi është shembull në rajon"

Presidenti Malit të Zi, Vujanoviç, ka vizituar sot në Shqipërinë, ku është pritur me një ceremoni zyrtare në selinë e Presidencës së Shqipërisë, nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Fatjon Cuka  | 11.12.2017 - Përdıtësım : 12.12.2017
"Bashkëpunimi Shqipëri- Mali i Zi është shembull në rajon" Fotoreporter: Olsi Shehu

Tiranë

TIRANË (AA) - Shqipëria dhe Mali i Zi janë një shembull i bashkëpunimit në rajon dhe do të vazhdojnë të jenë kështu edhe në të ardhmen, theksoi sot Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë konferencës për mediat në Tiranë me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Malit të Zi, Vujanoviç, ka vizituar sot Shqipërinë, ku është pritur me një ceremoni zyrtare në selinë e Presidencës së Shqipërisë nga homologu i tij, Ilir Meta. Pas takimit, Meta-Vujanoviç kanë mbajtur një konferencë për mediat, ku janë ndalur në disa çështje, si në bashkëpunimin mes dy vendeve, bashkëpunimin në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian, etj.

"Shqipëria dhe Mali i Zi janë një shembull i bashkëpunimit në rajon. Suksesi i Malit të Zi është një sukses për gjithë vendet tona. Ne kemi një kufi të jashtëzakonshëm, që na bashkon më shumë sesa na ndan. Ne jemi shumë të kënaqur për rolin përcaktues dhe të qartë që shqiptarët kanë luajtur në Malin e Zi, në të gjitha sfidat që kanë pasur të bëjnë me përcaktimin euro-atlantik të Malit të Zi. Pakica malazeze në Shqipëri është një pasuri e paçmuar për ne dhe do të bëjmë çdo gjë për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, sepse për vendet me mendësi evropiane pakicat janë një pasuri dhe janë ura të miqësisë dhe bashkëpunimit", theksoi Meta.

Presidenti i Shqipërisë u shpreh më tej se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në momente mjaft pozitive, duke shtuar se "Është detyra jonë që si dy vende demokratike të forcojmë më tej bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe me vendet e rajonit, të forcojmë parametrat e stabilitetit dhe sigurisë në vendet tona dhe të rajonit, sepse në këtë mënyrë kontribuojmë maksimalisht edhe për paqen dhe sigurinë".

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, theksoi se e vlerëson vizitën e tij në Shqipëri si një moment që shërben për forcimin e miqësisë mes dy vendeve dhe për përparimin e marrëdhënieve.

"Kemi biseduar edhe për pozicionin e pakicave tona dhe kemi vlerësuar se pakicat janë ura bashkëpunimi mes dy vendeve. Mes vendeve tona nuk kemi çështje të hapura. Kemi hapësirë për punë dhe kemi interes që këtë hapësirë ta shfrytëzojmë në marrëdhëniet tona që sot janë intensive, për qëllimin ekonomik dhe çdo hapësirë tjetër për avancimin e marrëdhënieve tona. Do të kërkojmë hapësirë për bashkëpunim jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në fusha të tjera. Duhet të riafirmojmë projektet rajonale", u shpreh presidenti malazez.

Vujanoviç theksoi më tej se të dy vendet kanë të njëjtin qëllim, sipas tij, për antarësimin në BE. Ai theksoi më tej se "Me gëzim do të presim fillimin e besedimeve dhe ky proces është në dinamikë të mirë dhe Shqipëria të ecë me këtë dinamikë të mirë. Ne do të ofrojmë edhe eksperiencën tonë në bisedime."

Presidenti i Malit të Zi do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit. Kujtojmë se pranverën e ardhshme është planifikuar mbajtja e mbledhjes së përbashkët qeveritare Shqipëri-Mali i Zi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın