BALLKANI

BeH, varrosen edhe 23 viktima të luftës në Prijedor

"Isha një nga dëshmitarët e ndodhive në Prijedor. Në Bërdo u vranë mbi 700 boshnjakë brenda një dite", tha myftiu i Bihaçit, Husein Makiç

Lejla Bıogradlıja  | 20.07.2017 - Përdıtësım : 21.07.2017
BeH, varrosen edhe 23 viktima të luftës në Prijedor Fotoreporter: Gordana Djukic/AA

Prijedor

PRIJEDOR (AA) - Sot në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) u varrosën mbetjet mortore të 23 viktimave boshnjakë të tjerë të identifikuar të cilët gjatë luftës në BeH mes viteve 1992 dhe 1995 ishin vrarë nga serbët në qytetin Prijedor në veri të vendit dhe të cilët u gjetën vite më pas në varreza masive, raporton Anadolu Agency (AA).

Në namazin e xhenazes që u fal në Stadiumin 'Poljana' në afërsi të Prijedorit morën pjesë të afërmit e viktimave dhe shumë qytetarë.

Aziz Hasanoviç, myftiu i Kroacisë, tha se pas Srebrenicës, Prijedori është vendi ku janë masakruar më së shumti njerëz, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar preferoi të mbyllë sytë gjatë luftës.

Ndërkaq, myftiu u Bihaçit, Husein Makiç, rikujtoi se gjatë viteve 1985 dhe 1992 kishte qenë me detyrë në Prijedor. "Isha një nga dëshmitarët e ndodhive në Prijedor. Në Bërdo u vranë mbi 700 boshnjakë brenda një dite. Fatkeqësisht, trupat e qindra personave ende nuk janë gjetur", theksoi Makiç.

Edhe kryeimami i Prijedorit, Husein Veliç, tha se përgjegjësit e masakrës së Prijedorit do të përgjigjen, nëse jo në këtë botë, në botën tjetër.

Në ceremoni mori pjesë edhe kryebashkiaku serb i Prijedorit, Milenko Djakoviç, i cili tha se merr pjesë në ceremoni në mënyrë që popullata e Prijedorit të jetojë në paqe dhe qetësi dhe që ngjarjet e luftës të mos përsëriten edhe njëherë.

Viktima më e re e varrosur sot në Prijedor është Ifet Vojnikoviç, 18 vjeçar, ndërsa viktima më e vjetër është identifikuar Sherif Hegiç, 72 vjeçar.

Jasmina Rasidoviç, e cila sot varrosi dajën e saj që kishte qenë në moshën 23 vjeçare kur ishte vrarë nga serbët, njoftoi se mbetjet mortore të dajës së saj të vrarë në vitin 1992 i kishin gjetur vitin e kaluar.

"Ndërkaq, këtë vit bëmë identifikimin. Dajën tim për herë të fundit e pashë kur erdhi të kërkojë një copë bukë nga ne", shtoi ajo.

Pas namazit të xhenazes, 23 viktimat u varrosën në varrezat në fshatrat Bishçani, Kamiçani, Zecovi, Skela, Rakovçani dhe Carakov në afërsi të Prijedorit.

Mungojnë trupat edhe të 777 personave

Sipas raporteve të Institutit të Personave të Humbur të BeH-së në periudhën 1992-1995 në Prijedor janë vrarë 5.209 boshnjakë, prej të cilëve 4.093 civilë.

Lejla Çengiç, zëdhënëse e Institutit, është shprehur se ende nuk janë gjetur trupat e 777 viktimave të mbetur boshnjakë të masakruar në Prijedor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın