BALLKANI

Deputetët turq pyesin për marrëveshjen tregtare dhe xhaminë e Prizrenit

Damka u shpreh se në bazë të dëshmive të vjetra, qytetarët e Prizrenit kanë organizuar peticione dhe ata kanë prova për kërkesën e ndërtimit të xhamisë dhe të sahat kullës, të cilat sipas tij do të përdoren si simbol kulturor

Sibel Vezaj  | 19.01.2017 - Përdıtësım : 20.01.2017
Deputetët turq pyesin për marrëveshjen tregtare dhe xhaminë e Prizrenit

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, gjatë rendit të ditës për pyetje parlamentare, deputetja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Müferra Şinik, bëri pyetje se pse marrëveshja për Tregti të Lirë e nënshkruar në vitin 2013 nga pala kosovare dhe turke nuk ka arritur ende në Kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami iu përgjigj kësaj pyetjeje duke theksuar se kjo marrëveshje është dërguar tek Ministria e Punëve të Jashtme më 18 shtator të vitit 2014, para se ajo ta marrë mandatin.

“Marrëveshja gjendet në zyrën e Presidentit të Kosovës, andaj besoj që për këtë mund të përgjigjet zyra e Presidentit ose Ministria e Punëve të Jashtme”, tha Bajrami.

Ajo bëri të ditur se para arritjes së kësaj marrëveshjeje nuk ka patur konsultime të mjaftueshme me asociacionet e biznesit kosovar.

“Në vitin 2015 Turqia në Kosovë ka eksportuar 253 milionë euro, ndërkohë që ne kemi arritur të eksportojmë në Turqi vetëm 9 milionë euro. Ne nuk e kemi shtyrë ratifikimin e saj për shkak të kritikave të asociacioneve të biznesit, por asnjëherë nuk kam bërë kërkesë që kjo të ratifikohet. Ndërkaq, assesi nuk kam kërkuar anulimin e saj, sepse nuk është kompetencë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, deklaroi Bajrami.

Marrëveshja për Tregti të Lirë mes Kosovës dhe Turqisë është nënshkruar në Ankara më 27 shtator të vitit 2013 dhe përkundër ratifikimit të saj nga pala turke, ende nuk është ratifikuar nga pala kosovare.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe zv/kryetar i Kuvendit të Kosovës, Fikrim Damka, i parashtroi pyetje ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Shala, për projektin e restaurimit të Kalasë së Prizrenit, përkatësisht për arsyen e pengesës së ndërtimit të xhamisë dhe të Sahat Kullës, në Kala. Damka u shpreh se në bazë të dëshmive të vjetra, qytetarët e Prizrenit kanë organizuar peticione dhe ata kanë prova për kërkesën e ndërtimit të xhamisë dhe të sahat kullës, të cilat sipas tij do të përdoren si simbol kulturor.

Kurse ministri Shala, iu përgjigj kësaj pyetjeje duke thënë se përpos xhamisë ka evidence edhe për një kishë në Kala dhe shtoi se Kalaja e Prizrenit është një lokalitet arkeologjik i cili duhe të trajtohet ndryshe.

“Ministria e Kulturës nuk harton projekte të asaj natyre, për institucionet publike nacionale të cilat janë të specializuara. Nuk mund të bëhet projekt total për lokalitete arkeologjike sepse këto bëhen faza faza, varësisht se si ecin gërmimet me karakter arkeologjik”, tha Shala.

Ai po ashtu bëri të ditur se për këtë çështje Ministria e Kulturës ka marrë shkresë edhe nga Bashkësia Islame dhe shtoi se çdo kërkesë duhet të adresohet së pari tek Qendra Rajonale e Trashëgimisë në Prizren dhe pastaj tek Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

“Kjo është një procedurë ligjore standarde që rregullohet me ligj. Përveç kësaj çdo aktivitet tjetër, sidomos aktivitetet të natyrës politike, janë plotësisht të panevojshme. Kjo është çështje ligjore dhe profesionale”, tha Shala.

Ndërkaq deputeti Damka iu përgjigj ministrit Shala se nuk ka asnjë dëshmi që në Kala ka pasur ndonjë kishë dhe shtoi se dëshmitë e xhamisë ekzistojnë me vite, të cilat sipas tij, mund të shihen edhe nëpër fotografi.

Ai theksoi se brenda Kalasë janë ndërtuar disa ndërtesa të cilat nuk kishin ekzistuar më parë, dhe të cilat sipas tij edhe prishin pamjen dhe arkeologjinë e saj. “Në një anë nuk jepni pëlqimin për ndërtimin e xhamisë për të cilin thuani se nuk është arkeologjik, e në anën tjetër ndërtoni ndërtesa të cilat nuk kanë qenë dhe as nuk kanë figuruar më herët në atë kala”, tha ai.

Ndërkaq, ministri Shala iu përgjigj deputetit Damka se në lokalitetet arkeologjike lejohet vetëm ndërtimi i vizitatoriumeve dhe i muzeve. Sipas legjislacioneve në lokalitete arkeologjike, ministri Shala tha se nuk lejohet ndërtimi i objekteve religjioze.

“Sipas legjislacionit të Kosovës dhe të konventave ndërkombëtare, në lokalitete arkeologjike nuk lejohet ndërtimi i objekteve religjioze, do të thotë ka evidenca edhe pë kishën. Kisha e xhamia janë të një kategorie ndërkaq Sahat Kulla është e një kategorie tjetër, por për të gjitha këto së pari duhet të bëhen studimet, duhet të kryehen gërmimet arkeologjike dhe pastaj në bazë të rezultateve të këtyre mund të bëhen kërkesat shtesë”, tha në fund ministri Shala.

Këshilli i Bashkësisë Islame kërkon rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Ndryshe, muaj më parë Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) të Prizrenit kishte kërkuar rindërtimin e xhamisë së rrënuar në Kalanë e Prizrenit, duke theksuar se kjo është kërkesë qytetarëve të Prizrenit.

Sipas KBI-së xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit dhe të Kosovës, e ndërtuar rreth viteve 1450, kur Shteti Osman ishte vendosur në qytetin e Prizrenit.

Përfaqësuesit e KBI-së bëjnë të ditur se ajo kishte pësuar shkatërrime dhe rrënime në periudha të ndryshme, e cila së fundi pas vitit 1920, si dhe objektet e tjera në Kalanë e Prizrenit, kishte përjetuar një kulturocid nga pushteti serbo-malazez i asaj kohe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.