BALLKANI

"Diplomacia ekonomike është prioritet i Kosovës"

“Tani, një fokus i veçantë do t’i kushtohet diplomacisë ekonomike dhe angazhimit për forcimin e shkëmbimeve ekonomike si dhe tërheqjen e investimeve të huaja"

Sibel Vezaj  | 20.12.2016 - Përdıtësım : 21.12.2016
"Diplomacia ekonomike është prioritet i Kosovës"

Prishtinë

PRISHTINË (AA)- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e Katërt të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u bisedua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për bashkëpunimin në politikën e jashtme si dhe për mbështetjen e mëtejme të Shqipërisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kryeministri Mustafa ka folur po ashtu për progresin e Kosovës në politikën e jashtme, duke veçuar arritjet në fushën e integrimeve, hapjen e kapitullit të ri të bashkëpunimit me NATO-n, anëtarësimin në organizata të ndryshme politike, sportive, rajonale e ndërkombëtare.

“Tani, një fokus i veçantë do t’i kushtohet diplomacisë ekonomike dhe angazhimit për forcimin e shkëmbimeve ekonomike si dhe tërheqjen e investimeve të huaja të cilat do të mundësohen edhe nga Ligji për Investime Strategjike”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka vlerësuar arritjet e Kosovës në politikën e jashtme, duke shprehur përkrahjen e mëtejshëm të Shqipërisë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Bushati ka folur edhe për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet diplomacive të dy vendeve.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë sot ka zhvilluar një takim edhe me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj. Në një njoftim zyrtar nga MPJ e Kosovës bëhet e ditur se gjatë këtij takimi dypalësh është theksuar rëndësia e funksionalizimit të planit të veprimit të Sekretariatit të Partneritetit Kosovë – Shqipëri. Gjatë takimit të dy ministrat kanë theksuar se bashkëpunimet e arritura në mes të dy ministrive të Jashtme, të Kosovës dhe Shqipërisë janë shembull i mirë e si shumë zotime të dala nga mbledhjet e përbashkëta të të dy qeverive janë zbatuar suksesshëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.