BALLKANI

Elezi: Bashkëpunimi ndërkufitar Maqedoni-Greqi mundëson miqësi të reja

Žbogar: Bashkëpunimi ndërkufitar mes vendeve të Ballkanit është thelbi i procesit të integrimit evropian, si dhe kontribuon në prosperitetin ekonomik dhe stabilitetin politik në rajon

Besar Ademi  | 23.01.2017 - Përdıtësım : 24.01.2017
Elezi: Bashkëpunimi ndërkufitar Maqedoni-Greqi mundëson miqësi të reja ( Besar Ademi/AA )

Shkup

SHKUP (AA) – Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, organizoi konferencën përmbyllëse të IPA Programit për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë në periudhën 2007-2013, në të cilën u prezantuan rezultatet dhe sukseset e projektit, raporton Anadolu Agency (AA).

Për financimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërkufitare të periudhës 2007-2013 u ndanë afër 32 milion euro, prej të cilave afër 12 milion euro ishin në dispozicion për Maqedoninë. Ndërkohë 85 për qind e mjeteve financiare u siguruan nga BE, ndërsa 15 për qind janë mbuluar nga fondet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse, Maqedonisë dhe Greqisë.

Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi, bëri të ditur se në këtë periudhë programore u realizuan 57 projekte, si dhe theksoi se bashkëpunimi ndërkufitar përmes këtij programi, mundësoi miqësi të reja si në jetën private, ashtu edhe në planin afarist.

“Rezultatet nga zbatimi i projekteve tregojnë se qytetarët dhe institucionet në rajonet ndërkufitare, jo vetëm që kanë nevojë për bashkëpunim dhe bashkëjetesë, por ata treguan vetëdije të lartë dhe dëshirë të ndërsjellë për të realizuar aktivitete të përbashkëta që do të kenë edhe rezultate të përbashkëta”, deklaroi Elezi.

Në këtë konferencë përmbyllëse, u prezantuan edhe pritjet për periudhën e dytë programore për bashkëpunim ndërkufitar mes dy vendeve në periudhën 2014-2020, për të cilën janë paraparë mjete financiare prej rreth 40 milion euro.

Përfaqësues i Trupit Drejtues të IPA Programit ndërkufitar në Selanik të Greqisë, Alexandros Samaras, theksoi se në periudhën e parë programore mësuan shumë gjëra, kështu që sipas tij, periudha e dytë programore do të jetë edhe më e suksesshme.

“Bashkërisht ne duhet të përpiqemi që t’i përfshijmë në këto projekte të gjithë aktorët e nevojshëm dhe vendimmarrësit, aq sa komunitetet lokale. Ne duhet të mendojmë me kujdes se si t’i përfshijmë ata dhe t’u tregojmë se sa janë të dobishme këto projekte për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës programore”, u shpreh Samaras.

Nga ana tjetër, ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Žbogar, deklaroi se bashkëpunimi ndërkufitar mes vendeve të Ballkanit është thelbi i procesit të integrimit evropian, si dhe kontribuon në prosperitetin ekonomik dhe stabilitetin politik në rajon.

“Bashkëpunimi ndërkufitar është një pasurim i të ardhmes, edhe atë jo vetëm në aspektin e mirëkuptimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, por edhe në çështje tjera të dukshme, si shërbimet dhe infrastruktura. Bëhet fjalë për një sinergji që asnjë vend nuk mund të arrijë i vetëm”, deklaroi ambasadori Žbogar.

Qëllimet specifike të IPA Programit për bashkëpunim ndërkufitar janë zhvillimi ekonomik i rajonit kufitar, avancimi i infrastrukturës për turizëm dhe transport, si dhe përmirësimi i mjedisit jetësor dhe aktivitete që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të njohura si aktivitete nga njerëzit për njerëzit.

Në rajonin kufitar nga ana e Maqedonisë marrin pjesë rajoni i Pelagonisë, Vardarit, pjesa Juglindore e vendit dhe ajo Jug-perëndimore, ndërsa nga ana e Greqisë marrin pjesë Lerini, Pela, Seresi dhe Selaniku.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.