BALLKANI

Hahn takon partitë politike, inkurajon formimin e qeverisë

Eurokomisari Johannes Hahn, po mban takime me liderët e partive politike të Maqedonisë të cilat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor fituan vende deputetësh

Bekim Laci  | 09.02.2017 - Përdıtësım : 10.02.2017
Hahn takon partitë politike, inkurajon formimin e qeverisë

Shkup

SHKUP (AA) - Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, po mban takime me liderët e partive politike të Maqedonisë të cilat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar fituan vende deputetësh, në përpjekje për të parë mundësitë për formimin e qeverisë të dalur nga këto zgjedhje, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimet e sotme me krerët e partive politike, Hahn i filloi me kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami i cili u shoqërua nga deputetët Afrim Gashi, Zeqirija Ibrahimi dhe Fadil Zendeli.

Pas takimit, Afrim Gashi tha se ardhja e komisarit Hahn në Shkup është për ta ndihmuar Maqedoninë të dalë nga kriza njëherësh duke formuar qeveri sa më shpejtë të jetë e mundur.

Gashi tha se vendimi mbetet në partitë e vendit sepse BE-ja nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të vendit.

"Porosia e komesarit Hahn është se do të ishte mirë që ne sa më shpejtë të dalim nga kriza. Gjithçka varet nga ne, nga aktorët politik dhe na inkurajoi që ne të intensifikojmë komunikimin mes vete", tha Gashi.

Pas takimit me lëvizjen BESA, Hahn takoi kryetarin e partisë LR-PDSH-së, Ziadin Sela i cili pas takimit tha se BE-ja shpreh interes të madh për stabilitetin dhe paqen në Maqedoni dhe se është e interesuar që vendi sa më shpejtë të formojë qeveri në mënyrë që vendi të përkushtohet në reformat e nevojshme të nisura më herët.

“Bashkarisht konkluduam se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion dhe nuk duhet assesi të ndodhin. Kjo ishte tema kryesore të cilën e biseduam me komisionerin Hahn”, tha Sela pas takimit.

Komisari Hahn takoi edhe kryetarin në dorëheqje të Partisë Demkratike Shqiptare, (PDSSH) Menduh Thaçi, i cili pas takimit tha se kishte ardhur të takojë një mik të shqiptarëve, siç është Hahn.

“Të dy u pajtuam se kishim shumë shpresë se do ta lëmë krizën pas vetes se nëpërmjet zgjedhjeve do të arijmë zgjidhje e cila fatkeqësisht nuk duket aty për çka jemi të shqetësuar", tha Thaçi.

Në këto momente Hahn po zhvillon takim me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti ndërsa më vonë do të takojë edhe krerët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın