BALLKANI

Homazhe në nderim të ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi

Pas homazheve në kuvend, u mbajt ceremonia përkujtimore për ish-kryeministrin e Kosovës, ku me këtë rast Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti një fjalim

Figen Shaban  | 22.08.2017 - Përdıtësım : 22.08.2017
Homazhe në nderim të ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi Fotoreporter: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Nën kujdesin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në objektin e Teatrit Kombëtar u mbajt ceremonia e nderimit për ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili ndërroi jetë dje në moshën 63-vjeçare në Turqi pas një sëmundje të rëndë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas arritjes së arkivolit me trupin e pajetë të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi në orët e hershme të mëngjesit në aeroportin "Adem Jashari" të Prishtinës nga Turqia, komisioni i veçantë për organizimin e ceremonisë mortore organizoi homazhe për Rexhepin në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku e pranishme ishte bashkëshortja, vajza dhe familjarët e tjerë të Rexhepit.

Ndërsa, pas homazheve në kuvend, u mbajt ceremonia përkujtimore për ish-kryeministrin e Kosovës, ku me këtë rast Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti një fjalim. Gjatë fjalimit të tij, Thaçi theksoi se Bajram Rexhepi ishte ndër personalitetet emblematike, me virtyte e larta në rrugën e realizimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Për rreth dy dekada ai ishte një nga liderët kryesor të Partisë Demokratike të Kosovës. Me Bajramin kam vizituar dhe takuar qytetarë kudo në çdo qytet të Kosovës, fshat dhe lagje në gjithë territorin e vendit kudo dhe nga të gjithë respektohej dhe nderohej”, tha Thaçi.

Ai tha se Dr. Bajram Rexhepi ishte mjeku i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kosovë, "përherë pranë ushtarëve dhe qytetarëve të plagosur."

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili mbajti një fjalim tha se Bajram Rexhepi ishte një personalitet me kontribut shumë dimensional “në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve, në shërbim të çështjes kombëtare, në shërbim të lirisë , pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës."

Mustafa shtoi se Rexhepi do të mbetet në historinë më të re të Kosovës si kryeministër i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës në Kosovë, “duke lënë gjurmë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit të Kosovës”.

Ndërsa, vajza e ish-kryeministrit të Kosovës, Vanesa Rexhepi, e cila mbajti një fjalim në emër të familjes theksoi se ndjehet krenare për babain e saj. “Virtytet e larta të babait tim, dashurinë, sinqeritetin butësinë dhe këshillat e tij do ti ruajmë dhe do ti kultivojmë me përkushtim për brezat e ri”, tha vajza e ish-kryeministrit Rexhepi.

Ajo falënderoj institucionet shtetërore të Kosovës për angazhimin gjatë sëmundjes së tij dhe organizimin e akademisë përkujtimore duke falënderuar veçanërisht edhe shtetin turk, “që ndihmoj pakursim në trajtimin e tij në spital”.

Ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 16:30.

Ndryshe, Bajram Rexhepi ka lindur në Mitrovicë më 3 qershor të vitit 1954. Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Rexhepi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku shërbeu si mjek. Pas luftës si anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës u bë kryetar i komunës së Mitrovicës, ndërsa më pas më 2002 u zgjodh kryeministri i parë i Kosovës në Qeverinë e koalicionit të gjerë dhe ushtroi këtë detyrë deri në vitin 2004. Më vonë ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.