BALLKANI

Ivanov: 'Platforma e Tiranës' u shndërrua në një krizë kushtetuese

Siç deklaroi presidenti Ivanov nga foltorja e Kuvendit, procesi i koalicionit pas-zgjedhor dhe formimi i një qeverie të re është bërë peng i një platoforme pas-zgjedhore të një vendi të huaj

Besar Ademi, Nazmi Abduramani  | 26.12.2017 - Përdıtësım : 27.12.2017
Ivanov: 'Platforma e Tiranës' u shndërrua në një krizë kushtetuese Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka mbajtur fjalimin tradicional vjetor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, i cili është fjalim i rregullt vjetor i presidentit të vendit para shtëpisë ligjvënëse i paraparë me Kushtetutën e shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Ivanov në fjalimin e tij para deputetëve, përfaqësuesve të autoriteteve gjyqësore dhe bashkësive fetare në vend, si dhe trupit diplomatik, deklaroi se është lënë pas edhe një vit tjetër, i ndjekur me një krizë politike më të thellë që reflekton në jetën e përditshme të qytetarëve të vendit.

“Ky është adresimi im i parë para përbërjes së re parlamentare dhe për fat të keq, nuk mund, që mos të konstatoj se kriza po bëhet një normalitet i ri, ku njerëzit filluan të mësohen me të”, u shpreh Ivanov, duke shtuar më tej se hapësira publike maqedonase është e helmuar nga gjuha e urrejtjes, frustrimit personal dhe dëshirës për hakmarrje.

Presidenti Ivanov kujtoi fjalimin e rregullt vjetor të ish-presidentit Boris Trajkovski, më 18 dhjetor të vitit 2013, i cili në atë kohë theksoi se janë shqetësuese “sinjalet e revanshizmit politik, të cilat janë të dukshme në procesin e racionalizmit të procedurave të administrimit apo të policisë, gjykatës, kur merret përshtypje se bindjet politike të popullit krijojnë pozitën e tyre të vështirë”.

“Është e neveritshme që sot, 14 vite më vonë, kemi pothuajse të njëjtën situatë. Në vend të projekteve për të konkurruar për besimin e votuesve, partitë tona politike e perceptojnë veten si armiq të vdekshëm. Kjo çoi deri në partizim të thellë dhe polarizim të të gjithë shoqërisë. Qytetarët kanë nevojë për pajtim në vend të hakmarrjes. Kërkesa e qytetarëve është edhe kërkesa ime”, tha presidenti Ivanov.

Siç deklaroi ai, procesi i koalicioni pas-zgjedhor dhe formimi i një qeverie të re është bërë peng i një platforme pas-zgjedhore të një vendi të huaj, që sipas tij, ka vënë në pikëpyetje interesat themelore shtetërore të Republikës së Maqedonisë. 

“Për shkak të Platformës së Tiranës, kriza politike është rritur në një krizë kushtetuese. Erdhën në dritë shumë mospërputhje të Kushtetutës për dhënien e mandatit për përbërjen e qeverisë. Boshllëkun kushtetues mund ta plotësonim vetëm duke iu referuar Presidencës së presidentit Gligorov nga viti 1992. Mandatin ua besova kur u krijuan kushte ligjore dhe m'u dha garanci në mënyrë të shkruar. Prandaj, vendimet e mia i marr në përputhje me ato garanci për mbrojtjen e unitetit, sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë dhe multietnicitetit të Republikës së Maqedonisë”, deklaroi presidenti Ivanov.

- “Jetojmë në një kohë të një realiteti të rremë të medias”

Në vijim, presidenti Ivanov, duke theksuar se e vërteta kurrë më parë nuk ka pasur armiq të këtillë siç është sot, u shpreh se në vend zhvillohet një luftë e perceptimeve, ku aktorët kryesorë janë gjeneruesit e lajmeve të rreme dhe thashethemeve.

“Jetojmë në një kohë të një realiteti të rremë të medias. Duke përdorur lajme të rreme, në Maqedoni po zhvillohet një luftë e perceptimeve. Interneti dhe transmetimi i mesazheve të personalizuara deri te publiku janë vegla të reja subversive që përdoren për të formuar opionion publik dhe për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve”, tha Ivanov.

Presidenti i Maqedonisë tha se është parë që disa institucione dhe persona përgjegjës të montojnë raste në bazë të lajmeve dhe informatave të rreme. Ai shtoi se këto persona janë përpjekur të akuzojnë edhe atë si president, “se kishte planifikuar të deklarojë gjendje ushtarake”.

“Lajmet e rreme, thashethemet dhe rrjedhat e të dhënave të planifikuara kryejnë erozion ndaj institucioneve. Gjatë tre viteve të fundit, më shumë se 30 për qind e identiteteve të inteligjencës sonë janë zbuluar. Kjo ka shkaktuar pasoja të dështimit të operacioneve në vend dhe jashtë, janë rrezikuar jetë dhe është shkatërruar rrjeti i agjentëve për mbledhjen e të dhënave”, theksoi Ivanov.

- “Maqedonia ka nevojë për pajtim në vend të hakmarrjes”

Ai poashtu theksoi nevojën për përcaktimin e përgjegjësisë për ata që shkaktuan dhunën në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të këtij viti, duke shtuar se Maqedonia ka nevojë për pajtim në vend të hakmarrjes.

“Për fat të keq, ne pamë deputetë të prangosur pa iu hequr imuniteti dhe qytetarë nga ‘Maqedonia e përbashkët’ të akuzuar për terrorizëm. Nuk mundem dhe mos t’i mbështes ata që më shumë se dy muaj në mënyrë të qetë dhe dinjitoze treguan shqetësim për interesat shtetërore të Maqedonisë. Sepse, një pjesë e kërkesave të tyre ishin edhe kërkesat e mia”, tha ai.

Ai, më tej theksoi se në vend të persekutimit politik, hakmarrjes dhe revanshizmin, vendi ka nevojë për pajtim, ndërsa për këtë pajtim, tha ai, nevojiten tre gjëra.

“Së pari, zgjidhjet ligjore për rinovimin ose rishqyrtimin e procedimeve në rastet gjyqësore për të cilat ka arsye për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Së dyti, vendosja e përgjegjësisë civile dhe penale ndaj atyre që politikisht kanë montuar raste. Dhe, së treti, heqja e gjeneratorëve të krizave për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Kërkesa e qytetarëve është pajtimi dhe jo hakmarrja. Kërkesa e tyre është kërkesa e ime”, deklaroi Ivanov.

- “BE-ja nuk kërkon revanshizëm, por reforma”

Presidenti Ivanov tha se BE-ja në raportin e Pribes dhe në të gjitha raportet e saj nuk kërkon revanshizëm, por kërkon reforma. Ai shtoi se këto reforma duhet të na sjellin meritokraci në vend të burokracisë parazitare, pragmatizm në vend të klientelizmit dhe ndershmëri në vend të korrupsionit.

“Reformat mund të jenë të suksesshme vetëm nëse arrihet një konsensus i gjerë për qeverinë dhe opozitën. Përgjigjuni, si do të miratohen ligjet sistemore pa pjesëmarrjen e opozitës? Do t’iu kujtoj se qytetarët maqedonas nuk kërkojnë revanshizëm, por reforma”, tha presidenti Ivanov.

- Maqedonia në vazhdimësi dëshmon se është partner strategjik i besueshëm i NATO-s

Ivanov në fjalimin e tij para deputetëve u përqendrua edhe në qëllimet strategjike të vendit, anëtarësimin në NATO dhe BE, duke shprehur se e vetmja mënyrë që Republika e Maqedonisë të kthehet në normalitet është nëse sa më parë hyn në NATO dhe merr datë për fillimin e negociatave paraaderuese me Unionin. Ai më tej tha se Maqedonia në kontinuitet kontribuon në përforcimin e axhendës nacionale dhe evropiane në fokus të së cilës është integrimi dhe siguria e kontinentit evropian.

“Presim që Bashkimi Evropian ta konfirmojë politikën e saj të dyerve të hapura. Republika e Maqedonisë me meritë pret që në samitin e radhës të marrë rekomandim të pakushtëzuar dhe fillimin e negociatave për anëtarësim të plotëfuqishëm. Me secilin hap, Unioni 'de jure' do ta njeh pozitën e barabartë dhe partnerike të shtetit tonë drejt ndërtimit të Evropës së bashkuar, të lirë dhe të qetë”, u shpreh Ivanov.

Lidhur me anëtarësimin në NATO presidenti Ivanov tha se Maqedonia në vazhdimësi tregon se është partner i besueshëm strategjik i Aleancës së NATO-s.

“Vitin e ardhshëm 2018 do të përmbyllen dy përvjetore lidhur me NATO-n: 25 vite nga vendimi i njëzëshëm i Kuvendit më 23 dhjetor të vitit 1993 për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO. Dhe, 10 vite nga zhgënjimi i madh ndaj shpresave tona në Samitin e NATO-s në Bukuresht. Vitin e ardhshëm 2018 është një mundësi që NATO ta përmirësojë padrejtësinë e Bukureshtit”, tha Ivanov duke shtuar se derisa shumica e qytetarëve i mbështesin këto qëlime strategjike, ne jemi të obliguar që t’i respektojmë. “Por duhet të kemi parasysh se interesat afatshkurtër të partnerëve tanë, jo çdoherë korrespondojnë me interesat e Republikës së Maqedonisë”.

- Populizmi sërish u paraqit me ndikimin e tij negativ mbi marrëdhëniet fqinjësore

“Tashmë e përmenda Platformën e Tiranës e cila ishte ndërhyrje populiste në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë. Kishim edhe mashtrim kundërzbulues në marrëdhëniet me Serbinë. Ende i presim dëshmitë nga Beogradi zyrtar për veprimtarinë ofensive kundërzbuluese të Maqedonisë kundër diplomatëve serbë”, tha Ivanov.

Presidenti Ivanov kritikoi edhe e Qeverinë e Kosovës për ndarjen e ndihmës financiare për familjarët e “Grupit të Kumanovës”.

“Qeveria e Kosovës vendosi të përcaktojë ndihmë financiare për aktorët e angazhuar në aktet e dhunshme dhe terroriste në Goshincë dhe Kumanovë. A kështu Qeveria e Kosovës e shpreh falënderimin për kujdesjen e mbi 350.000 refugjatëve kosovarë në vitin 1999, njohjen e Kosovvës, dhe kyçjen e Kosovës në bashkëpunimin rajonal?”, tha Ivanov.

Ai më tej shtoi se doemos duhet të nxirren mësime nga e gjithë kjo, duhet me kujdes të matet çdo fjalë. Shmangia e retorikës së ashpër është me rëndësi të veçantë në periudhën që vijon, tha Ivanov, duke shtuar se shumë nga vendet e rajonit hyjnë në cikle të reja zgjedhore, “një deklaratë e papërshtatshme dhe populiste mund të shkaktojë tërmet politik në mbarë rajonin tonë”.

Ai më pas u përqendrua edhe në bashkëpunimet rajonale duke thënë se duke u nisur nga sfidat politike, ekonomike dhe të sigurisë me të cilat përballet rajoni, me rëndësi kyçe është edhe samiti i radhës i procesit Bërdo-Brioni, ku nikoqir është Republika e Maqedonisë.

Presidenti Ivanov përshëndeti edhe përkushtimin e Qeverisë në procesin e gjetjes së zgjidhjes për çështjen e emrit.

“Tejkalimi i kësaj çështjeje në mënyrë thelbësore do të ndikojë në stabilitetin dhe prosperitetin e mbarë rajonit. Por, njëkohësisht, bëj thirrje për kujdes. Për shkak të përvojës sime tetë vejçare, unë nuk jam as optimist e as pesimist, por realist me përvojë. Realiteti është se zgjidhja e çështjes së emrit u bë peng i burokracisë së NATO-s dhe BE-së. Andaj, zgjidhja për dallimet rreth emrit me Greqinë mund të kërkohet vetëm në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ku jemi të barabartë”, tha Ivanov, për të shtuar se “zgjidhje e pranueshme e ndërsjellë doemos duhet të respektojë identitetin tonë nacional”.

Presidenti Ivanov tha se nuk ekziston masë më e mirë për ndërtimin e besimit në tërë rajonin se ndërtimi i Kanalit Ballkanik Danub-Morava-Vardari.

Presidenti Ivanov në fjalimin e tij u ndërlidh edhe për Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë duke thënë se që nga dita e parë e mandatit të tij si president është angazhuar për avancimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me të gjitha fqinjët.

“Marrëveshja është si rezultat i kompromiseve të cilat nuk mund të kënaqin secilin. Por, që të arrijë qëllimin, kjo marrëveshje duhet shikuar nga aspekti i ardhmërisë, e jo të së kaluarës. Kjo është marrëveshje e historisë së përbashkët të dy shteteve dhe popujve të tyre, dhe ka të bëjë në periudhën e njohjes së Republikës së Maqedonisë nga ana e Republikës së Bullgarisë, gjegjësisht nga viti 1992”, tha Ivanov duke u bërë thirrje që të dyja qeveritë të kontribuojnë drejt përmbushjes së qëllimit të Marrëveshjes.

- Ndërtim marrëdhëniesh me të cilat kemi partneritet strategjik SHBA dhe Turqi

“Në kushte të zhvendosjeve tektonike gjeopolitike, është e domosdodshme ndërtimi me kujdes dhe i balancuar i marrëdhënieve me vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më tej, ndërtimi i marrëdhënieve me vendet me të cilat kemi marrëveshje për ndërtimin e partneritetit strategjik, gjegjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqinë”, tha Ivanov.

Ai tha se pret që Qeveria të vazhdojë edhe me ndërtimin e marrëdhënieve stabile politike dhe ekonomike me shtetet e rajonit euroaziatik përmes mekanizmave të ndryshme, siç janë Nisma 16 +1. E Republikës Popullore të Kinës, por edhe me Australinë dhe vendet e Amerikës së Jugut dhe Afrikën.

- Presidenti Ivanov me kritika ndaj ligjit për përdorimin e gjuhëve

Presidenti i Republikës së Maqedonisë dha një sërë kritikash ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku tha se “me këtë ligj, për shkak të pikëve afatshkurtëra politike vihen në pikëpyetje interesat e përhershme të Republikës së Maqedonisë dhe popullit maqedonas”.

“Kërkesa për dygjuhësi është absolvuar me amendamentin 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, që doli nga Marrëveshja kornizë, ku rregullohet çështja për gjuhën zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

Presidenti Ivanov tha se “sa është i rrezikshme moszbatimi i Marrëveshjes kornizë, po aq është e rrezikshme edhe dalja nga korniza që ajo e parashikon”.

Më tej shtoi se Maqedonia është shtet unitar i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë, krishterë, muslimanë, hebrenjë dhe ateistë.

Ai më pas shprehu kritika edhe për vendosjen e flamurit evropian mbi propozim-ligjin duke thënë se për një gjë të tillë “doemosdo duhet të ekzistojë direktivë evropiane që urdhëron harmonizimin e legjislatutës së Maqedonisë me atë të Unionit”.

Presidenti Ivanov tha se propozim ligji nuk ka terminologji të saktë rreth asaj se çka është gjuhë zyrtare, gjuhë e përdorimit dhe gjuhë e përdorimit zyrtar. Më pas tha se ligji është represiv.

Ivanov tha se pas konsultimeve të bëra “mund të them se Ligji për gjuhët nuk paraqet kërcënim për gjuhën maqedonase. Ai paraqet kërcënim mbi karakterin unitar të shtetit. Ky propozim-ligj shkel ligjin më të madh të shtetit, e ajo është Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë”, tha presidenti Ivanov.

Ai më pas tha se është inkurajuese që Qeveria e re paralajmëroi se në vitin 2019 do të zbatohet regjistrimi i popullatës duke thënë se “Kjo do të na mundësojë të kemi pasqyrë reale për gjendjen e brendshme-politike dhe bazë për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve dhe shtetit”.

"Vendimi im për Ligjin bazohet mbi garancitë e dhëna me shkrim për mbrojtjen e unitaritetit, sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë dhe multietnicitetit të Republikës së Maqedonisë. Ligji për përdorimin e gjuhëve doemos duhet të jetë vetëm në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe i harmonizuar me ligjet e Republikës së Maqedonisë”, tha Ivanov.

Ai më pas tha se dëshiron avancimin e përdorimit të gjuhëve të të gjitha bashkësive, përfshirë edhe gjuhën shqipe. “Andaj, u bëj thirrje liderëve të të gjitha partive politike fillimisht t’i dëgjojnë ekspertët dhe të bëjnë ligj cilësor që nuk do të jetë kontestues”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın