BALLKANI

Ivanov: Vendosa të mos e nënshkruaj Ligjin për përdorimin e gjuhëve

“Në vend të frymës së dialogut dhe bashkëjetesës të ndërtojmë një shoqëri multietnike përmes ligjeve të drejta dhe pëgjithësisht të pranuara, ne kemi bërë ligjin e padrejtë dhe represiv që favorizon vetëm gjuhën shqipe”

Admir Fazlagikj  | 17.01.2018 - Përdıtësım : 18.01.2018
Ivanov: Vendosa të mos e nënshkruaj Ligjin për përdorimin e gjuhëve

Shkup

SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në adresimin e tij para opinionit deklaroi se ka vendosur të mos e dekretoj miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u votua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Ivanov tha se ligji u miratua pa debat publik dhe shkencor, si dhe pa përfshirjen e opozitës, publikut akademik dhe atij të ekspertëve.

“Edhe para se të miratohet, disa herë thash se nuk është mirë kur çështje që tashmë janë të shfuqizuara përsëri të hapen për të fituar pikë politike afat-shkurte, ndërsa në dëm të interesave të përhershme të Republikës së Maqedonisë dhe popullit maqedonas”, tha Ivanov.

Presidenti maqedonas kujtoi se në adresimin e tij të fundit vjetor ka theksuar se ky ligj është miratuar me flamurin evropian, por pa pasur një direktivë evropiane që kërkon harmonizimin e legjislacionit maqedonas me legjislacionin e Unionit.

“Me këtë ligj paraqitet një paralelizëm shumë i shtrenjtë në të gjitha organet e pushtetit shtetëror që çon në bllokimin dhe mosfunksionimin e plotë të tyre. Në kushte të bllokimit ekziston kërcënim për të hapur çështjen e ridefinimit kushtetutes dhe ekziston rrezik për unitetin, suvernitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Ivanov.

Ai duke përmendur disa arsye për të cilat ka vendosur të mos e dekretoj miratimin e këtij ligji, tha se: “Në vend që në frymën e dialogut dhe bashkëjetesës të ndërtojmë një shoqëri multietnike përmes ligjeve të drejta dhe pëgjithësisht të pranuara, ne kemi bërë ligjin e padrejtë dhe represiv që favorizon vetëm gjuhën shqipe”.

Më tej, presidenti Ivanov bëri të ditur se ka dërguar një letër në Kuvend, në të cilën ka dhënë shpjegim ligjor dhe të detajuar për vendimin e tij.

Më 11 janar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas këtij ligji, parashikohet që në të gjitha organet shtetërore të vendit, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që flitet nga 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe shkrimi i saj, në këtë rast gjuha shqipe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın