BALLKANI

"Kosova do të shkëmbejë çfarë do informacione me Serbinë për rastin Ivanoviç"

"Kosova do të shkëmbejë çfarë do informacione me Serbinë dhe se kanë kërkuar informacione nga ata për zbardhjen e aktit të vrasjes së politikanit dhe shtetasit nga Kosova, Oliver ", tha ministri Tahiri

Sibel Vezaj  | 19.01.2018 - Përdıtësım : 19.01.2018
"Kosova do të shkëmbejë çfarë do informacione me Serbinë për rastin Ivanoviç"

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri bëri të ditur se Kosova do të shkëmbejë çfarë do informacione me Serbinë dhe se kanë kërkuar informacione nga ata për zbardhjen e aktit të vrasjes së politikanit dhe shtetasit nga Kosova, Oliver Ivanoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Tahiri në një deklaratë për media pas vizitës së tij në Burgun e Hapur në fshatin Smrekonicë të Komunës së Vushtrrisë ka folur për bashkëpunimin me shtetin e Serbisë lidhur me zbardhjen e aktit të vrasjes së Ivanoviçit.

“Unë ia kam përcjellë dje qeverisë së Republikës së Serbisë kërkesat e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë së Kosovës. Ne jemi për bashkëpunim për zbardhjen e këtij rasti. Nuk është hera e parë që ne bashkëpunojmë me Republikën e Serbisë, ka pasur edhe dhjetëra raste ku kemi shkëmbyer informacione sa i përket çështjeve të ndryshme, me Republikën e Serbisë, pra në nivel zyrtar”, deklaroi Tahiri.

Ai theksoi se “Fakti që sot ne komunikojmë në mes të dy ministrive, Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Serbisë tregon qartë se është komunikim në mes të dy shteteve”.

“Jemi për bashkëpunim si me Serbinë ashtu edhe me të gjitha shtetet në rajon”, thotë Tahiri, duke shtuar se “Ne do të bashkëpunojmë deri në atë pikë sa do të arrijmë të zbardhim vrasjen e fundit siç është rasti me Oliver Ivanoviç dhe do të shkëmbejmë çfarë do informacione. Po ashtu kemi kërkuar informacione nga ata. Presim që t’i sjellin policisë dhe Prokurorisë së Kosovës dhe mendoj se institucionet e Kosovës janë në hap të duhur, të drejë në zbardhjen e këtij rasti”, tha Tahiri.

Kujtojmë se Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dje njoftuan se kanë pranuar përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, një kërkesë nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë, për ndihmë juridike të ndërsjellë për rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.

Lideri i Iniciativës Qytetare "Liri, Demokraci, Drejtësi", Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e ditës së martë nga të shtëna me armë zjarri në veri të Mitrovicës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.