BALLKANI

Kosovë, formohen koalicionet parazgjedhore

PDK, AAK dhe Nisma për Kosovën arritën koalicion parazgjedhor. Kurse nga ana tjetër, LDK arriti koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re

Sibel Vezaj  | 17.05.2017 - Përdıtësım : 17.05.2017
Kosovë, formohen koalicionet parazgjedhore

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Partitë politike në Kosovë kanë arritur marrëveshje koalicioni për zgjedhjet e 11 qershorit. Kështu Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Kadri Veselit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt dhe Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt arritën koalicion parazgjedhor. Kandidat i këtij koalicioni për kryeministër pritet të jetë Ramush Haradinaj. Kurse nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Isa Mustafës, arriti koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e re të Behgjet Pacollit. Kandidat për kryeministër nga ky koalicion pritet të jetë anëtar i LDK-së, Avdullah Hoti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbyllur periudhën e deklarimit të partive politike për koalicione, për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, të cilat do të mbahen më 11 qershor.

Në një komunikatë nga KQZ bëhet e ditur se në zyrën për Regjistrim të Partive dhe Certifikim partitë kanë deklaruar koalicionet e tyre.

Me këtë rast, PDK-ja e cila në zgjedhjet e përgjithshme të mandatit të kaluar më 2014, në koalicion me partitë tjera të vogla ishte partia më e votuar në vend, mbrëmë në orët e vonshme arriti koalicion parazgjedhor me AAK-në e ish-kryeministrit Ramush Haradinajt dhe me Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt. Këto dy parti kanë qenë parti opozitare në mandatin e fundit, ku edhe qeveria kishte rënë me iniciativën e mbledhjes së votave për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë nga partia e Limajt.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj në një konferencë për media në orët e mesnatës, pas koalicionit, tha se kreu i partisë së tij, Ramush Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës i këtij koalicioni parazgjedhor. Kurse sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi në një konferencë për media tha se sipas marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor zëvendëskryeministri do të zgjidhet nga kjo parti. Ai po ashtu shprehu mbështetjen e kësaj partie për Haradinajn si kryeministër.

Në këtë koalicion po ashtu përfshihen edhe partitë tjera të vogla si Partia e Drejtësisë (PD), Lëvizja për Bashkim (LB), Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), Partia Konservatore e Kosovës (PK), Partia Liberale e Kosovës (PLK), Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK), Republikanët e Kosovës (REK), Partia e Ballit (PB), Partia Socialdemokrate (PSD) dhe Balli Kombëtar i Kosovës (BKK).

Në anën tjetër, partia e radhës më e votuar në vend në zgjedhjet e mandatit të kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka lidhur koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re (AKR) të ish-presidentit Behgjet Pacolli. Ndërkaq, dje në një konferencë për media, LDK-ja bëri të ditur se kandidat i saj për kryeministër do të jetë Avdullah Hoti, ministri i Financave në largim.

Ndryshe, më 10 maj Kuvendi i Republikës së Kosovës me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit të Qeverisë të formuar nga koalicioni PDK-LDK- Lista Serbe, pro të cilit kishin votuar partitë opozitare AAK, NISMA, Lëvizja Vetëvendosje si dhe partia e koalicionit qeverisës PDK-ja. Me këtë ra Qeveria e Kosovës dhe më 11 qershor vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın