BALLKANI

Kosovë, haxhinjtë kthehen nga tokat e shenjta

Grupi i parë dhe i dytë i haxhinjve nga Kosova, të cilët ishin në tokat e shenjta në Arabinë Saudite për të kryer haxhin, kanë mbërritur në aeroportin "Adem Jashari" në Prishtinë

Figen Shaban  | 17.09.2017 - Përdıtësım : 17.09.2017
Kosovë, haxhinjtë kthehen nga tokat e shenjta Fotoreporter: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Grupi i parë dhe i dytë i haxhinjve nga Kosova, të cilët ishin në tokat e shenjta në Arabinë Saudite për të kryer haxhin, kanë mbërritur në aeroportin "Adem Jashari" në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga Kosova sivjet janë nisur 1.080 haxhinj, ku prej tyre 400 ishin gra. Ata kanë udhëtuar në Mekë dhe Medinë duke qëndruar një muaj në tokat e shenjta për të kryer kushtin e pestë të Islamit. 

Haxhinjtë janë pritur me duartrokitje të shumta nga familjarët dhe të afërmit e tyre në aeroportin “Adem Jashari”, ku është parë gëzimi i të gjithëve ndërsa fëmijët e vegjël kanë pritur ata me lule në dorë. 

Edhe pse duket i lodhur nga pritjet e gjata në aeroport, Nazmi Reçica nga fshati Miradia e Epërme afër kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë tha se ndjehet tejet i lumtur që ka kryer obligimin e haxhit. 

"Është një përshtypje e mirë, nuk ka si të jetë më mirë. Gjithë besimtarëve ua uroj Haxhin kudo që janë sepse është një kënaqësi e madhe", u shpreh Reçica. 

Ndërsa Hamdi Adili, i cili është nga komuniteti boshnjak i Kosovës nga fshati Jabllanicë në komunën e Prizrenit, ka udhëtuar për në Haxh së bashku me bashkëshorten e tij Hajriza Adilin duke theksuar se kjo është hera e dytë që kryen Haxhin, kurse bashkëshortja e tij për të parën herë. 

“Ishalla Zoti na pranon Haxhin dhe secili e ka fatin që ta kryejë këtë obligim. Ishte një udhëtim shumë i mirë edhe pse ishte pak vapë por kemi patur forcën dhe durimin e duhur. Ishte vërtetë mbresëlënëse dhe shpresoj që Zoti të na mundësojë edhe njëherë shkuarjen në Haxh", tha Adili.

Ndërkohë, nesër dhe pasnesër pritet që të arrijnë edhe grupet e tjera të haxhinjve nga Kosova në aeroportin “Adem Jashari”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın