BALLKANI

Kosovë, mbahet tryeza "Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit"

Organizata jo-qeveritare Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me organizatën jo-qeveritare Demokracia në Veprim (DnV) organizoi tryezën me temën, “Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit”

Figen Shaban  | 09.06.2017 - Përdıtësım : 10.06.2017
Kosovë, mbahet tryeza "Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Organizata jo-qeveritare Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me organizatën jo-qeveritare Demokracia në Veprim (DnV) organizoi tryezën me temën, “Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit” që do të mbahen të dielën në Kosovë, raporton Andolu Agency (AA).

Lidhur me bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë në periudhën zgjedhore, me përkrahjen e Institutit D4D, në vitin 2014 është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes institucioneve relevante mbi procesin zgjedhor ku memorandumi është përtrirë edhe në vitin 2016.

Kjo marrëveshje ka bërë bashkë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës (PK), Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e shkelësve të ligjit mbi zgjedhjet dhe sigurimit të votës së lirë, të drejtë dhe demokratike.

Në fjalimin hapës Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Demokraci për Zhvillim, tha se drejtësia në zgjedhje është një faktor i rëndësishëm në procesin zgjedhor për të siguruar të drejtën e votës si të drejtë themelore, e cilat duhet të ushtrohet në mënyrë të lirë dhe pa pengesë.

Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Greg Delawie gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e procesit demokratik zgjedhor, ku rëndësinë dhe vëmendjen më të madhe t’a kenë qytetarët. Ai tha se qytetarëve duhet t'u mundësohet që të votojnë në mënyrë të lirë, duke mos u manipuluar apo të detyruar për të votuar. Sipas tij, kjo është baza kryesore e zhvillimit të një procesi demokratik.

"Në Amerikë kemi thënien e cilla thotë se 'Çdo votë ka peshë'. Kjo gjithashtu është e rëndësishme edhe për Kosovën. Kjo do të thotë se shumë qytetarë kanë një përgjegjësi për të punuar në procesin zgjedhor për të mos patur asnjë manipulim dhe për të siguruar legjitimitetin e demokracisë parlamentare në Kosovë", tha Delawie.

Ndërsa, Valdete Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) theksoi se kjo është hera e tretë që organizohen zgjedhje të parakohshme duke shtuar se falë angazhimit maksimal të të gjithë aktorëve në këtë proces zgjedhor kanë arritur t'i përfundojnë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Sipas saj, kjo është një sfidë e madhe për institucionin për t'u organizuar në mënyrën sa më të mirë.

Ajo bëri të ditur se do të jenë të angazhuar 25 mijë vëzhgues të akredituar dhe se kjo është kusht për të mos lejuar manipulimin e votave.

“Ju siguroj se KQZ ka marrë të gjitha masat e nevojshme, pra të gjitha ato të cilat iu mundëson ligji që ditën e zgjedhjeve mos të kemi manipulime dhe mos të kemi pengesa në mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve”, tha Daka.

Kujtojmë se më 11 qershor ditën e diel në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.