BALLKANI

"Mali i Zi paraqet bazën e progresit të përgjithshëm rajonal"

Osmani: “Procesi i euro-integrimeve të Republikës së Maqedonisë fatmirësisht nuk paraqet një rast të izoluar në Ballkan, por është në drejtimin e njëjtë me frymën e re të optimizmit evropian rajonal

Besar Ademi  | 18.09.2017 - Përdıtësım : 19.09.2017
"Mali i Zi paraqet bazën e progresit të përgjithshëm rajonal" ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) – Një delegacion nga Mali i Zi i udhëhequr nga ministri për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori i Malit të Zi në bisedimet me Bashkimin Evropian (BE), Aleksandar Andrija Pejoviç, sot qëndron për vizitë në Maqedoni. Delegacioni i Malit të Zi u prit nga zv/kryeministri i Maqedonisë i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Synimi i vizitës së delegacionit është mbajtja e takimit të tretë të Komitetit të përbashkët mes Maqedonisë dhe Malit të Zi në kuadër të marrëveshjes mes dy Qeverive në procesin e integrimeve evropiane.

Para fillimit të takimit mes delegacioneve të të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, zv/kryeministri Osmani dhe ministri Pejoviç deklaruan se ky takim kontribuon në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe ndihmon në rrugën e integrimit evropian të të dy vendeve.

Osmani theksoi se përmes këtij komuniteti krijohet një bazë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, të cilat, sipas tij, kontribuojnë në avancimin e procesit të integrimeve të të dy vendeve, por edhe të rajonit. Ai shtoi se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO paraqet një bazë për progresin e Maqedonisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

“Procesi i euro-integrimeve të Republikës së Maqedonisë fatmirësisht nuk paraqet një rast të izoluar në Ballkan, por është në drejtimin e njëjtë me frymën e re të optimizmit evropian rajonal, që është zgjeruar edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ky progres, posaçërisht është i dukshëm në Mal të Zi, ku krahas fillimit të negociatave ky vend u bë edhe anëtar i NATO-s dhe kjo paraqet një bazë të mirë si për progresin tonë, ashtu edhe për progresin e përgjithshëm rajonal”, deklaroi Osmani.

Ndërkaq, Pejoviç bëri të ditur se Maqedonia është vendi i parë që Mali i Zi ka nënshkruar marrëveshje për shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimeve. “Mali i Zi para tre muajve u bë vend anëtar i NATO-s dhe në atë kontekst politikisht, përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian jemi këtu që t'iu ndihmojmë që sa më shpejtë të jeni anëtare e Aleancës”, u shpreh Pejoviq.

Para takimit të sotëm në Shkup, më herët janë realizuar edhe dy takime të këtilla, prej të cilëve i pari në Shkup, ndërsa i dyti i vitit të kaluar në Malin e Zi. Qëllimi i këtyre takimeve është shkëmbimi i përvojave mes dy vendeve lidhur me procesin e integrimit evropian, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët në kuadër të bashkëpunimit rajonal, shfrytëzimit më efikas të IPA fondeve dhe iniciativave që dalin nga Procesi i Berlinit. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.