BALLKANI

Mbyllet fushata e partive, të dielën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Partitë politikë kanë organizuar mitingjet e fundit, duke i dhënë fund fushatës elektorale në të gjithë vendin, ku shpalosën programin dhe pretimet e tyre, ndërsa nesër është heshtje zgjedhore

Fatjon Cuka  | 23.06.2017 - Përdıtësım : 24.06.2017
Mbyllet fushata e partive, të dielën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Tiranë

TIRANË (AA) - Sot zyrtarisht është mbyllur fushata zgjedhore e partive politike, ndërsa të dielën, më 25 qershor, mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Partitë politikë kanë organizuar mitingjet e fundit, duke i dhënë fund fushatës elektorale në të gjithë vendin, ku rreth një muaj shpalosën programin dhe pretimet e tyre, ndërsa nesër është heshtje zgjedhore.

Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, është partia kryesore e koalicionit aktual qeveritar, e cila është në kërkim të një mandati të dytë qeverisës me kandidat për kryeministër Ramën. PS me sloganin "Për Shqipërinë që duam" gjatë takimeve elektorale në mbarë vendin ka bërë publike ambicien për të qeverisur si forcë e vetme, ndërsa fushatën e ka mbyllur në qytetin e Vlorës.

Partia Demokratike e Shqipërisë, në këto zgjedhje ka prezantuar si kandidat për kryeministër, kreun e saj, Lulzim Basha, ndërsa slogani i saj është "Republika e re, ekonomi e fortë, e nesërmja e sigurtë". Partia më e madhe e opozitës ka mbyllur fushatën me një miting në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

Edhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), e drejtuar aktualisht nga Petrit Vasili, ish-ministër i Drejtësisë, që është edhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, ka bërë të ditur ambicien për të dalë forcë e parë në zgjedhje, ndërsa nuk i ka përjashtuar mundësitë e koalicioneve paszgjedhore. LSI ka zhvilluar mitingun e mbylljes së fushatës në qytetin e Fierit.

Ndërsa në fokus të programit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) është çështja e shqiptarëve të Çamërisë, zhvillimi ekonomik i vendit dhe punësimi. Slogani i kësaj partie për zgjedhjet është "Veç një Atdhe", ndërsa aktualisht nuk ka prezantuar ndonjë kandidat për kryeministër.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 25 qershor, ndërsa do të marrin pjesë gjithsej 18 parti politike. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk ka të regjistruara koalicione parazgjedhore. Qytetarët me të drejtë vote do të votojnë të dielën për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın