BALLKANI

Memeti: Rritet numri i cenimeve të të drejtave të njeriut për 4 përqind

Memeti tha se në disa fusha është konstatuar edhe përkeqësim, gjë të cilën raporti i Avokatit të Popullit e konfirmon me numrin e rritur të cenimeve të konstatuara të të drejtave dhe lirive të njeriut

Besar Ademi  | 30.03.2017 - Përdıtësım : 31.03.2017
Memeti: Rritet numri i cenimeve të të drejtave të njeriut për 4 përqind ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) – Në prezanimin e raportit vjetor të vitit 2016 mbi nivelin e respektimit dhe të mbrotjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë, Ixhet Memeti, deklaroi se nuk janë konstatuar ndryshime pozitive, por është konstatuar stagnim, raporton Anadolu Agency (AA).

Memeti theksoi se në disa fusha është konstatuar edhe përkeqësim, gjë të cilën raporti i Avokatit të Popullit e konfirmon me numrin e rritur të cenimeve të konstatuara të të drejtave dhe lirive të njeriut për katër përqind.

Në vitin 2016 Zyra e Avokatit të Popullit ka proceduar 4.718 raste, prej të cilave në periudhën në fjalë janë pranuar 3.775 ankesa, ndërsa 37 u hapën me iniciativë të Avokatit të Popullit. Memeti bëri të ditur se janë konstatuar 1.523 cenime të lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërsa në 1.358 raste janë pranuar intervenimet.

“Maltretim gjatë kryerjes së detyrës dhe trajtim jonjerëzor, nënçmues dhe jo human të policisë, konstatuam në protestat masive të qytetarëve kundër vendimit të presidentit të shtetit për falje të një grupi më të madh të funksionarëve dhe personave zyrtarë, si dhe gjatë transportit të të akuzuarve në rastin e Kumanovës. Mirëpo, as hetimi ynë, nuk ishte i mjaftueshëm që Maqedonia të dëshmojë se ka hetim efektiv kundër brutalitetit policor dhe ndëshkimit, me çka vazhdon mosndëshkimi i nëpunësve policorë. Kjo dukuri kontribuon që qytetarët mos të ndihen të sigurt”, deklaroi Memeti.

Ai akuzoi edhe deklarimet për përmirësimin e kushteve në burgje, duke theksuar se “të burgosurit edhe më tej qëndrojnë në kushte jonjerëzore, ndërkaq u është mohuar e drejta e mbrojtjes shëndetësore edhe pse e kanë të garantuar”. Ai shtoi se në orët e pasdites, në burgje në vend të mjekut, mjekojnë të burgosurit.

Sipas Memetit, në institucionet shtetërore vazhdon punësimi në baza etnike apo partiake, gjë për të cilën Avokati i Popullit konsideron se është projekt me të cilin bëhet manipulim i vrazhdë i qytetarëve.

“Pa një analizë konkrete të nevojave të administratës nuk mund të flasim për sistem administrativ më cilësi. Tejet dëshpërues është konstatimi se administrata, në vend që të punojë në dobi të qytetarëve, punon në dobi të partive. Shqetësuese janë edhe dukuritë kur institucionet zbatojnë axhenda partiake”, tha Memeti.

Avokati i Popullit Memeti bëri të ditur se gjatë vitit 2016 jo vetëm që nuk vërehet përmirësim sa i përket respektimit të barazisë dhe mosndëshkimit, por përkundrazi shënohet rritje të ankesave për trajtim të pabarabartë. Ai theksoi se më shumë janë ato që kanë të bëjnë me diskriminim në marrëdhënien e punës në administratën publike, e që janë mbi bazë politike. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.