BALLKANI

Meta vizitë në Itali, takon homologun Mattarella

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka filluar sot një vizitë zyrtare dyditore në Itali

Fatjon Cuka  | 11.09.2017 - Përdıtësım : 12.09.2017
Meta vizitë në Itali, takon homologun Mattarella Burimi: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

TIRANË (AA) - Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u takua sot në Romë me Presidentin italian, Sergio Mattarella, ku zhvilluan bisedime zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Meta dhe Mattarella vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve e dy popujve dhe ndanë mendimin se këto marrëdhënie duhet të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

"Presidenti Meta theksoi se Italia ka qenë e do të mbetet një partner i gjithanshëm dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë. Meta i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes së arritjes së marrëveshjes me autoritetet italiane në fushën e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Itali, si dhe afirmimit të vlerave dhe kontributeve të tyre në rritje në jetën ekonomike, shoqërore e politike italiane. Mattarella e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes së Italisë për Shqipërinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se Shqipëria është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe përcaktuese me rolin konstruktiv që ajo luan", thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se një vëmendje të veçantë gjatë takimit i është kushtuar bashkëpunimit për çështjet e sigurisë dhe të rendit, "duke u theksuar nevoja e rritjes së koordinimit dhe të bashkëveprimit mes institucioneve ligj-zbatuese për të luftuar me efikasitet krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet e paligjshme në Mesdhe dhe në dy anët e Adriatikut."

Presidenti i Shqipërisë, ka filluar sot një vizitë zyrtare dyditore në Itali, ndërsa kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit që pas marrjes së detyrës së presidentit më 24 korrik të këtij viti.

Në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë thuhet se në qendër të bisedimeve në takime do të jenë marrëdhëniet mes Shqipërisë e Italisë, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, lufta kundër krimit të organizuar, si dhe tematika të aktualitetit ndërkombëtar. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın