BALLKANI

MMSR dhe ILO nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mbi programin kombëtar të punës 2017-2021

Fatjon Cuka  | 26.04.2017 - Përdıtësım : 27.04.2017
MMSR dhe ILO nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi  Fotoreporter: Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Midis Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë (MMSR) dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) sot në Tiranë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mbi programin kombëtar të punës 2017-2021, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga ministrja e MMSR-së, Olta Xhaçka dhe Heinz Koller, drejtori i Përgjithshëm i zyrës rajonale të ILO-s për Evropën dhe Azinë Qendrore, ku pas nënshkrimit të saj mbajtën një konferencë për mediat.

Xhaçka në fjalën e saj u shpreh se marrëveshja e firmosur sot shënon vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet ILO-së dhe Shqipërisë. "Rinovimi i këtij partneriteti siguron më shumë punë për shqiptarët, si dhe përmirësim të mbrojtjes sociale. Përmirësimi i tregut të punës ka qenë në qendër të vëmendjes të qeverisë tonë dhe partnerëve socialë. Kemi bërë përpjekje shumë serioze për të rritur punësimin e fuqisë punëtore në Shqipëri me fokus të veçantë grupet rinore dhe ato të rrezikuar, duke përmirësuar sistemin e arsimit profesional dhe duke përmirësuar sistemin e mbrojtjes sociale", theksoi Xhaçka.

Ndërsa Koller theksoi se edhe në Shqipëri ky program është hartuar duke u bazuar në partneritet trepalësh. "Ky është programi i katërt dhe do të vazhdojmë punën e mirë që kemi bërë edhe më parë me tre programet e tjera. ILO është organizata e vetme e Kombeve të Bashkuara e cila e bazon punën e saj në një strukturë trepalëshe. Edhe në Shqipëri programi i katërt është hartuar duke u bazuar në partneritet trepalësh, midis qeverisë, organizatave të punëmarrësve dhe punëdhënësve", u shpreh Heinz Koller, drejtori i Përgjithshëm i zyrës rajonale të ILO-s për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Kjo marrëveshje synon nxitjen, zhvillimin e punësimit dhe mjedisit mbështetës për ndërmarrje të qëndrueshme, forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe partnerëve socialë për një dialog social efektiv dhe përmirësimin e mbrojtjes sociale dhe kushteve të punës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın