BALLKANI

Nishani: Përpjekjet e Luginës së Preshevës simbol i të gjithë kombit shqiptar

Presidenti Nishani bëri të ditur se në këto takime ka theksuar rëndësinë e promovimit të bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit mes shtetit serb dhe atij shqiptar në këtë rajon

Besar Ademi  | 07.03.2017 - Përdıtësım : 08.03.2017
Nishani: Përpjekjet e Luginës së Preshevës simbol i të gjithë kombit shqiptar ( Besar Ademi/AA )

Bujanoc

BUJANOC (AA) – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili qëndron për vizitë në Luginën e Preshevës, deklaroi se vizita e tij është mesazh që tregon interesin e shtetit shqiptar të Republikës së Shqipërisë për të përmirësuar më tej marrëdhëniet me Republikën e Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Nishani në hapësirat e Komunës së Bujanocit realizoi takim me kryetarin e kësaj komune, Shaip Kamberi, kryetarin e trupit koordinues në Qeverinë e Serbisë për Komunën e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjvës, Zoran Stankoviq si dhe me përfaqësues të tjerë institucional dhe politik.

Presidenti shqiptar bëri të ditur se në këto takime ka theksuar rëndësinë e promovimit të bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit mes shtetit serb dhe atij shqiptar në këtë rajon. Ai theksoi se ajo që është arritur në interes të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, është në përgjegjësinë e lidershipit politik të çdo vendi dhe çdo populli ta shfrytëzojë për ta forcuar dhe për ta çuar më përpara.

“Neve konsiderojmë komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur çështjet e identitetit të tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe zakonet e tyre si një simbol i jashtëzakonshëm për të gjithë kombin shqiptar”, deklaroi Nishani.

Nishani theksoi se vitet e fundit kanë ndodhur disa hapa të rëndësishme në përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, duke përmendur vizitën e kryeministrit shqiptar në Beograd dhe atij serb në Tiranë. Ai këto vizita i quajti dy momente që kanë treguar interesin e dy vendeve për të zhvilluar më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Republika e Shqipërisë mbetet e interesuar dhe e angazhuar për të ndjekur me shumë vëmendje realizimin e të gjitha të drejtave që i takojnë pakicës shqiptare në Serbi, të gjithë shqiptarë në Luginën e Preshevës, atyre në Komunën e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Të drejtat për arsimim në gjuhën e tyre, të drejtat për respektimin e simboleve kombëtare, të drejtat për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të infrastrukturës, të cilat tashmë janë edhe çështje të diskutimit të programit mes dy qeverive, të Serbisë dhe të Shqipërisë”, porositi presidenti Nishani.

Sipas Nishanit këto pika të përkthehen në programe zbatimi në afate kohore konkrete në mënyrë që shqiptarët e kësaj zone të realizojnë këto të drejta dhe liri të cilat, siç theksoi ai, janë fundamentale për çdo njeri.

“Ne shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët, boshnjakët, kroatët, ndajmë të njëjtin rajon dhe jetojmë jetën tonë në të njëjtin rajon. Është në të mirë të të gjithë popujve tanë që ne të shikojmë tek e ardhmja duke e ndërtuar këtë të ardhme mbi bazën e respektit reciprok, jo të urrejtjes dhe padurueshmërisë ndaj tjetrit, por përmes bashkëjetesës të ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë në një nivel ekonomik shumë herë më të mirë nga ajo që kemi sot”, tha Nishani.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, vizitën e presidentit e quajti vizitë vëllazërore, ku dhe diskutuan për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, mundësitë e bashkëpunimit të komunave të Luginës me institucionet e Shqipërisë. Ai theksoi se kjo vizitë shkon në interes të përmirësimit të raporteve ndërfqinjësore për të udhëtuar bashkërisht në të gjitha vendet e Ballkanit drejt Bashkimit Evropian.

Në kuadër të vizitës së tij në Luginën e Preshevës, e cila vjen me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 Marsit, presidenti shqiptar do të vizitojë shkollën fillore “Muharem Kadriu” në Tërnoc të Bujanocit, si dhe do të marrë pjesë në programin kulturor me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Ndërsa, në Komunën e Preshevës presidenti Nishani do të nderojë mësuesit në një program kulturor të organizuar nga Shtëpia e Kulturës “Krashinca” në Preshevë.

Ndryshe, presidenti Bujar Nishani është president i parë i shtetit shqiptar që viziton Komunën e Bujanocit dhe Preshevës, ndërsa zyrtari i parë i shtetit shqiptar që vizitoi Serbinë, është ish-presidenti shqiptar, Enver Hoxha, i cili në vitin 1948 qëndroi në Beograd.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın