BALLKANI

Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë shënohet "Dita pa makina"

Nën moton “Ditë pa automjete” në Shkup u mbajt parada tradicionale me biçikleta në kuadër të Javës Evropiane për Mobilitet, duke filluar nga porta “Maqedonia” në qendër të qytetit dhe përfundoi në Parkun e Qytetit

Besar Ademi  | 22.09.2017 - Përdıtësım : 23.09.2017
Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë shënohet "Dita pa makina" ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) – Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe në qytete të tjera të rajonit me disa aktivitete është shënuar sot "Dita pa makina", raporton Anadolu Agency (AA).

Shkup, mbahet parada me biçikleta me moton “Ditë pa automjete”

Nën moton “Ditë pa automjete” në Shkup u mbajt parada tradicionale me biçikleta në kuadër të Javës Evropiane për Mobilitet, duke filluar nga porta “Maqedonia” në qendër të qytetit dhe përfundoi në Parkun e Qytetit.

Parada me biçikleta organizohet nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në mbështetje Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup. Në paradë morën pjesë mijëra qytetarë të cilët shprehën kështu vullnetin e tyre për ngritje të vetëdijes publike për vlerat që i ka shfrytëzimi i këtij transporti.

Kryetar i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, i cili mori pjesë në paradë, përshëndeti numrin e madh të të rinjve që u përfshinë në paradë, duke theksuar se të rinjtë mund të ndryshojnë vetëdijen tek qytetarët e Shkupit sa më tepër të shfrytëzojnë biçikletën për transport, por edhe për rekreacion.

Paradës tradicionale të biçikletave iu bashkangjit edhe zv/ministri i Mjedisit Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, i cili apeloi: “Ju bëj thirrje të gjithëve që të përfshihemi në këtë luftë për ajër të pastër. Bëhuni patriotë modern, shfrytëzoni biçikleta."

Tiranë, shënohet me disa aktivitete "Dita pa makina"

Në Tiranë nëpërmjet disa aktiviteteve është shënuar "Dita pa makina", ku disa rrugë të kryeqytetit të Shqipërisë janë boshatisur nga qarkullimi i automjeteve. Bashkia e Tiranës ka bllokuar disa nga akset kryesore rreth qendrës së kryeqytetit, duke përfshirë kryesisht bulevardin "Dëshmorët e Kombit", për të promovuar mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkohë bashkia ka organizuar edhe disa aktiviteteve të ndryshme, në kuadër të Ditës Botërore pa Makina, ku në njërin prej tyre, në ekspozitën e makinave elektrike, ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Bashkia e Tiranës eksperimenton fillimisht me bllokimin e rrugëve para se t'i kthejë ata në pedonale për qytetarët. Ne sheshin 'Skënderbeu' i vetmi trafik është ai i grupeve turistike, një trafik i mirëpritur", u shpreh Veliaj në një prononcim për mediat. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi ndër të tjera se bashkia do të eksperimentojë së shpejti me transportin alternativ, për futjen në përdorim të autobusëve elektrikë si një ndër masat për uljen e ndotjes së ajrit.

Ndërsa një tjetër aktivitet ka qenë edhe panairi i botimeve në fushën e mjedisit dhe mbrojtjes së ambientit. Qytetarët e kryeqytetit të Shqipërisë kanë zgjedhur të shëtisin në këmbë duke shijuar edhe motin e ngrohtë, ndërsa shumë të tjerë kanë zgjedhur edhe biçikletat.

Në Prishtinë shënohet "Dita pa makina"

Me rastin e 22 Shtatorit, "Ditës pa automjete", aktivistët nga OJQ-të të ndryshme mjedisore kanë bërë xhiro me biçikleta afër qendrës së kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, për të ngritur vetëdijesimin e qytetarëve që të zvogëlojnë ndotjen e ajrit duke reduktuar përdorimin e veturave.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës së bashku me Komunën e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës dhe OJQ-të mjedisore në vend organizuan aktivitetin me theks të veçantë në mbrojtjen e mjedisit.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, në fjalën e saj gjatë aktivitetit për "Ditën pa makina", theksoi se ajri i ndotur mbetet një nga sfidat më të mëdha mjedisore në mbarë globin e sidomos në Kosovë.

Luan Hasanaj nga OJQ-ja “Let's do it Kosova” gjatë fjalës së tij tha se në një shtet si Kosova me një sipërfaqe rreth 10 mijë kilometra katrorë ka 300 mijë automjete, ku sipas tij kjo është mjaft shqetësuese. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.