BALLKANI

Në Shqipëri shënohet 73-vjetori i Çlirimit

Ceremonia qendrore për Ditën e Çlirimit është organizuar në kompleksin e "Varrezave të Dëshmorëve" në Tiranë, ku drejtuesit më të lartë të vendit kanë bërë homazhe dhe vendosur kurora me lule

Fatjon Cuka  | 29.11.2017 - Përdıtësım : 30.11.2017
Në Shqipëri shënohet 73-vjetori i Çlirimit Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Shqipëria shënon sot 73-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, ndërsa me rastin e kësaj dite që është festë zyrtare janë zhvilluar disa aktivitete në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia qendrore për këtë ditë është organizuar në kompleksin e "Varrezave të Dëshmorëve" në Tiranë, ku drejtuesit më të lartë të vendit kanë bërë homazhe dhe vendosur kurora me lule.

Të pranishëm në ceremoninë e homazheve ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i vendit, Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministra të kabinetit qeveritar, drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, veteranë, si dhe qytetarë.

Zyrtarët e pranishëm në ceremoni kanë bërë homazhe tek kompleksi i "Varrezave të Dëshmorëve", për të nderuar të gjithë dëshmorët e rënë në luftën për çlirimin e vendit.

Në përfundim të ceremonisë zyrtare drejtuesit e lartë të vendit janë takuar me veteranë të luftës dhe qytetarë të pranishëm në ceremoninë e organizuar në Tiranë.

Ndërkohë ceremoni dhe aktivitete të ndryshme me rastin e 73-vjetorit të Çlirimit janë mbajtur edhe në qytetet e tjera të vendit, organizuar nga institucionet e pushtetit vendor.

Ndërsa Bashkia e Tiranës ashtu si edhe vitet e kaluara do të organizojë "Natën e Bardhë", një event me disa aktivitete artistike.

Kujtojmë se 73 vite më parë, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë pas një lufte 5 vjeçare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın