BALLKANI

Oliver Ivanoviç, kontrovers dhe i respektuar

Angazhimi i tij gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 për shumë qytetarë të Kosovës është i dyshimtë, për çka u gjykua, por për shkak të vdekjes tragjike gjykimi nuk përfundoi

Zülfiya Yakup  | 18.01.2018 - Përdıtësım : 19.01.2018
Oliver Ivanoviç, kontrovers dhe i respektuar

Prishtinë

ZÜLFİYA YAKUP

PRISHTINË (AA) – Oliver Ivanoviç do të mbahet mend si një person inteligjent, i gjithanshëm dhe i matur. Vlente si një politikan i çmuar në mesin e serbëve dhe në mesin e shqiptarëve, ndërsa jashtëzakonisht e respektonin edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Megjithatë, Ivanoviç, lider i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi (SDP), i cili të martën më 16 janar u vra në një atentat në veri të Mitrovicës, konsiderohet si politikan kontrovers, shkruan Anadolu Agency (AA).

Angazhimi i tij gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 për shumë qytetarë të Kosovës është i dyshimtë, për çka u gjykua, por për shkak të vdekjes tragjike gjykimi nuk përfundoi. Nga ana tjetër, Ivanoviç vlente edhe si një përfaqësues i matur politik i serbëve të Kosovës, gjithmonë i gatshëm për dialog dhe kompromis me shqiptarët.

Ai ka lindur në vitin 1953 në fshatin Irzniq të Deçanit, ku që në fëmijëri mësoi gjuhën shqipe. Shkollën fillore dhe atë të mesme teknike-makinerike e kreu në Mitrovicë. Ishte kadet i Akademisë Ushtarake në Zagreb, të cilën e braktisi pas tre vitesh për shkak të problemeve me të pamurit. Më pas kreu Fakultetin e Makinerisë në Mitrovicë, ndërsa në Prishtinë ishte absolvent edhe në Fakultetin e Ekonomisë.

Ivanoviç para luftës ishte zëvendës drejtor i përgjithshëm i “Feronilkelit”, një nga ndërmarrjet më të mëdha shoqërore të asaj periudhe në Kosovë. Njihej si karateist, posedonte rripin e zi të danit të katërt, ndërsa në Mitrovicë vlente si një sportist i shquar.

Gjatë bombardimeve të NATO-s, ishte në krye të të ashtuquajturës “Rojtarë të urës” në qytetin e Mitrovicës, i njohur për atë që kanë dëbuar dhe vrarë banorët shqiptarë. Pikërisht për shkak të akuzave për krime lufte mbi civilët shqiptarë të Kosovës, Ivanoviç është arrestuar në janar të vitit 2014. 

Me aktvendim të shkallës së parë të Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës, në janar të vitit 2016 është shpallur fajtor për vrasjen e shumë shqiptarëve, më 14 prill të vitit 1999, dhe u dënua me nëntë vite burgim. Gjykata e shkallës së dytë e Apelit në shkurt të vitit 2017 e anuloi këtë aktvendim dhe urdhëroi rigjykim, i cili filloi në mars të vitit të kaluar. Nga muaji prill i vitit 2017 Gjykata i mundësoi të mbrohet në liri.

Madje, flitej për atë se Ivanoviç urdhëroni vrasjen e shqiptarëve gjatë gjithë viteve të luftës. Ndërsa është indikative se aktakuza u ngrit para zgjedhjeve të para lokale në Kosovë në veri të Kosovës, ku kandidonte për kryetar të Mitrovicës së Veriut, para Nismës së tij Qytetare SDP .

Shumë besojnë se “tajmingu” është vendosur për të hapur rrugën e fitores të kundër kandidatit të tij nga “Lista Serbe” Goran Rakiç i mbështetur nga Beogradi. Përveçse ishte viktimë e Beogradit, gjithashtu besohej se gjykimi i tij ishte i nevojshëm për autoritetet kosovare si një kundërpeshë ndaj gjykimit për krime lufte të komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në lëndën për të ashtuquajturin “Grupi i Drenicës”. 

Ky gjykim, në mënyrë të pashmangshme, hodhi një hije mbi angazhimin politik aktiv të Ivanoviçit, një angazhim i arsyeshëm dhe shumë i dobishëm pas përfundimit të luftës në Kosovë, i çliruar nga presioni i mitit serb për Kosovën. Ivanoviç ishte kryetar i Bordit të Këshillit Ekzekutiv për veriun e Kosovës, përpara Këshillit Kombëtar Serb të Kosovës. Ai u hoq nga ky pozicion në vitin 2001, sepse ai i ishte kundërvënë serbëve radikalë nga veriu i Kosovës. 

Megjithëse serbët e konsiderojnë si meritor që është ruajtur pjesa veriore e Mitrovicës, ndërsa qyteti mbetet i ndarë në pjesën veriore serbe dhe pjesën jugore shqiptare, ai nga ajo periudhë do të mbahet mend si një njeri që u takua me kryetarin e atëhershëm të Mitrovicës dhe më vonë kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi.

Ivanoviç mori pjesë në zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë me listën "Kthimi" së bashku me serbët e tjerë të shquar të Kosovës dhe u bë deputet i Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, nga viti 2008 deri në vitin 2012 ai ishte pjesë e Qeverisë në Beograd, më saktë Sekretar i Shtetit në Ministrinë për Kosovën në kohën kur Boris Tadiç ishte në krye të Serbisë.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, në tetor të vitit 2017, ai ishte përsëri kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, por ai dhe kandidatët e Iniciativës qytetare SDP ishin nën një presion të madh për të braktisur listën e pavarur dhe për t'iu bashkuar "Listës Serbe", të cilën e mbështet qeveria në Beograd, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç.

Presioni i madh çoi në tërheqjen e katër kandidatëve nga lista e tij. Gjatë fushatës, automjetit të Oliver Ivanoviçit iu vu zjarri, gjë që nuk ishte hera e parë. Automjeti i tij edhe më parë ishte cak i sulmuesve të panjohur, të cilët asnjëherë nuk u zbuluan. Megjithatë, ai nuk u dorëzua, por nuk arriti të fitojë ndaj kundër kandidatit të tij Goran Rakiç. Partia e tij fitoi tre vende të Këshillit në Asamblenë e Komunës së Mitrovicës së Veriut. 

Bashkëpunëtorët e tij e kanë vlerësuar atë në masë të madhe dhe e konsideronin si një njeri të kompromisit, një njeri me politikë autentike serbe në Kosovë, të cilën pothuaj se nuk ka kush ta vazhdojë pas largimit të tij.

Pas vrasjes së tij, bashkëpunëtorët e tij të tanishëm dhe të mëparshëm vlerësojnë se është vrarë më i miri në mesin e serbëve të Kosovës, vetëm për shkak se ai guxoi të thoshte me zë të lartë kur diçka nuk ishte mirë, edhe nëse një gjë e tillë vinte nga Beogradi.

Madje, edhe kryerësit dhe urdhërdhënësit e atentatit deri më tani të panjohur, tregon se një politikë e tillë ndaj të cilës nuk mund të ndikohej, kushtoi me jetë. 




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın