BALLKANI

Predha të paaktivizuara artilerike gjenden në afërsi të Gjevgjelisë

Gjatë pastrimit të oborrit për ndërtimin e shtëpisë private të banimit në fshatin Bogorodicë, pronarët fillimisht kanë gjetur dy predha, me çka e kanë lajmëruar policinë, ndërsa pas pastrimit të terrenit, ekspertët kanë gjetur 30 predha

Toni Avramov  | 22.02.2018 - Përdıtësım : 23.02.2018
Predha të paaktivizuara artilerike gjenden në afërsi të Gjevgjelisë Toni Avramov/AA

Gjevgjeli

GJEVGJELI (AA) - Në fshatin Bogorodicë të Gjevgjelisë në pjesën jugore të Maqedonisë, në afërsi të kufirit maqedonas-grek, janë gjetur 30 predha artilerike, por numri i tyre supozohet të jetë më i madh, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë pastrimit të oborrit për ndërtimin e shtëpisë private të banimit në fshatin Bogorodicë të Gjevgjelisë, pronarët fillimisht kanë gjetur dy predha, me çka e kanë lajmëruar policinë, ndërsa pas pastrimit të terrenit, ekspertët kanë gjetur 30 predha.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se këto predha artilerike në madhësi 82 milimetra janë me origjinë nga Lufta e Parë Botërore dhe shumë prej tyre nuk janë shkrepur, gjegjësisht ende janë aktive dhe përbëjnë rrezik për vendbanimin. Sipas gjetjeve, bëhet fjalë për një magazinë fushore në të cilën ishin vendosur predhat.

"Pas njoftimit nga Ministria e Brendshme - Gjevgjeli, kemi ardhur për ndërhyrje. Për momentin ka 30 predha, prej të cilave 15 janë hequr, ndërsa 15 shihen, por numri do të jetë shumë më i madh. Shifra përfundimtare do të dihet në fund. Ka mundur të ndodhë fatkeqësi, sepse atje kishte një vend për gëlqerebërje vite më parë. Këtu është prodhuar gëlqere, mbi gjysmë metër mbi predhat, pa e ditur njerëzit. Në rast të një shpërthimi të vetëm këtyre 30 predhave, brenda një rreze prej 200 metra nga fshati nuk do të kishte asgjë", tha për AA Eftim Mitrov nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili është duke punuar në heqjen e predhave.

Siç shihet, predhat gjenden në afërsi të vendit ku me vite janë kryer punë dhe aktivitete të ndryshme, por askush nuk i ka vënë re, si dhe asnjëra nga predhat nuk ka shpërthyer.

Pas nxjerrjes së plotë të predhave nga kjo zonë, ato do të asgjësohen.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.