BALLKANI

Prishtinë, debat mbi pezullimin e dialogut dhe procesin e integrimit evropian

Organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi tryezën e diskutimit me temën “Pezullimi i dialogut: Impakti në procesin e Integrimit Evropian të Kosovës”

Figen Shaban  | 29.03.2017 - Përdıtësım : 29.03.2017
Prishtinë, debat mbi pezullimin e dialogut dhe procesin e integrimit evropian ( Erkin Keçi/AA )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi tryezën e diskutimit me temën “Pezullimi i dialogut: Impakti në procesin e Integrimit Evropian të Kosovës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës, Mimoza Ahmetaj gjatë fjalimit të saj si paneliste në këtë tryezë tha se pas fillimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve në prill të vitit 2013 është hapur rruga e pakthim drejtë integrimit evropian si për Kosovën po ashtu edhe për Sërbinë. 

“Marrëveshja e prillit të vitit 2013 është një fazë e dialogut, një pikënisje e gjatë të cilën Kosova dhe Serbia do ta bëjnë drejt integrimit në BE. Ne kemi obligim brenda Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim që ta përfillim dhe të jemi konstruktiv në këtë proces të dialogut”, tha Ahmetaj. 

Gjatë fjalimit të tij, deputeti nga radhët e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj tha se dialogu me Serbinë nuk ka rezultuar me asnjë produktivitet dhe se ky proces është kthyer në një instrument që Serbia të përfitojë në rrugën e saj integruese.

Ai shtoi se përgjatë këtij procesi Serbia ka vazhduar të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ka riaktualizuar fletarrestet ndërkombëtare për persona kyç në Kosovë.

“Unë mendoj që ka ardhur koha dhe është mirë që është ndërprerë dialogu, pavarësisht që është një rast në fjalë (Ramush Haradinaj). Fundja ai është qytetari i Kosovës dhe ne e kemi për obligim që t’i bëjmë me dije edhe BE-së edhe Serbisë që nuk mund të luash përjetësisht me qytetarët e Kosovës, por ka ardhur koha që t’i kërkojmë edhe BE-së që t’i shtojnë kërkesat edhe mbi Serbinë jo vetëm mbi Kosovën”, tha Haradinaj.

Kurse, deputeti nga radhët e opozitës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca kritikoi Qeverinë e Kosovës duke thënë se ajo ka nisur dialogun në vitin 2011 në mënyrë të njëanshme dhe sipas tij, do të duhej që të fillonte me konsensus nacional duke diskutuar këtë çështje me qarqet e ndryshme intelektuale, shoqërinë civile dhe me gjithë popullin.

“Mos të harrojmë që në këtë proces që nga MSA-ja me këtë dinamikë mendoj se i kemi të paktën dhjetë vite deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE. Por shtrohet pyetja ku do të jetë BE-ja pas dhjetë viteve pas Brexit-it dhe pas fitoreve të njëpasnjëshmë të ekstremistëve, gjysma e anëtarëve kanë në plan të dalin nga BE-ja”, tha Konjufca.

Ndërsa, deputeti nga Lista Serbe e Kuvendit të Kosovës, Nenad Rasiç tha se do të ketë pengesa gjatë procesit të dialogut por këto marrëveshje të arritura sipas tij duhet të zbatohen për të arritur qëllimin strategjik të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë pra të anëtarësohen në BE. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.