BALLKANI

Pritje festive për Haradinajn në Prishtinë

Mijëra qytetarë anembanë Kosovës sot janë mbledhur në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë për ta pritur kthimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj

Sibel Vezaj  | 27.04.2017 - Përdıtësım : 28.04.2017
Pritje festive për Haradinajn në Prishtinë Fotoreporter: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Mijëra qytetarë anembanë Kosovës sot janë mbledhur në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë për ta pritur kthimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili sot u lirua nga Gjykata e Colmarit në Francë, raporton Anadolu Agency (AA).

Qytetarët në një atmosferë festive me këngë, daulle e vallëzime, si dhe me flamuj të Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me flamuj kombëtar shqiptar pritën Haradinajn, i cili sapo mbërriti në Prishtinë erdhi në këtë shesh dhe iu drejtua qytetarëve.

Gjatë fjalimit të tij, Haradinaj falënderoi shqiptarët nga trevat e ndryshme dhe nga diaspora për përkrahjen e dhënë, kurse në anën tjetër kritikoi institucionet e Kosovës. Ai gjatë fjalimit të tij po ashtu tha se Vuçiçi. Daçiçi, “babai” e të cilëve sipas tij është Millosheviçi, kanë kërkuar të bëjnë më “zi” se gjatë kohës së luftës.

“Për fat të keq edhe një herë si dikur u ndjeva pa shtet, institucionet e Kosovës nuk ishin në nivelin e tyre por po iu tregoj, e thash hapur se ftesa ose ideja për ekstradimin në Serbi është thirrje për luftë. Pse e kam thënë kështu, nuk jam tallur e as nuk kam bërë hajgare, por e kam thënë me të vërtetë, më 24 mars të vitit 1998 po këta Vuçiçi, Daçiçi e babai i tyre Millosheviçi, makina e tyre vrastare na kanë sulmuar familjen tonë në Glloxhan”, tha Haradinaj.

Duke theksuar se "shqiptarin nuk mundën ta nënçmojë as Millosheviçi duke i mbajtur 500 mijë shqiptarë nëpër burgje e nëpër biseda informative, e as duke i vrarë 20 mijë njerëz", Haradinaj tha se "duhet t’i tregohet armikut (Serbisë) vendi dhe se s’ka çfarë kërkon më nga Kosova".

“Nëse dikush në Evropë ka harruar, nëse Franca ka harruar nëse dikush këtu ka harruar, janë disa që se harrojnë përjetë dhe nuk do ta harrojnë kurrë që për këtë liri dhe për këtë tokë kemi dhënë njerëz e jemi flijuar, e dimë nëpër çka kemi rënë. Nëse ata në Beograd kujtojnë që ne shqiptarët harrojmë kaq shpejtë, gabojnë“, tha Haradinaj.

Ai tha se shqiptarët janë populli i paqes dhe që asnjë komunitet nuk ka pësuar nga shqiptarët. “Ai që na respekton e respektojmë por ai që na sulmon do të mbrohemi”, tha Haradinaj.

Haradinaj së fundmi foli për situatën e krijuar në Kosovë, duke vënë në dukje se “është gabuar me kufirin” dhe se që dy vjet Kosova ka mbetur e bllokuar.

Kjo pritje madhështore përfundoi me gjuatjen e fishekzjarreve dhe qytetarët u shpërndanë të qetë pas largimit të Haradinajt nga qendra e Prishtinës.

Ndryshe, në seancën e sotme gjyqësore në Colmar të Francës u mor vendimi për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe ish-udhëheqësit UÇK së, Ramush Haradinaj . 

Ai më 4 janar ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Më 12 janar u lirua me kusht nga autoritetet franceze, kurse vendimi për të ishte shtyrë në 3 seancat e mëparshme. Paraprakisht, ai ishte arrestuar edhe në Slloveni në vitin 2015 sipas urdhërarrestit të njëjtë, ndërkohë që më pas ishte liruar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın