BALLKANI

Protesta në Shkup, kërkohet zbardhja e “rasteve të montuara gjyqësore”

Organizatorët kërkuan rigjykimin e rasteve, të cilat sipas tyre janë “aktgjykime të fabrikuara në bazë të dëshmitarëve të fshehur”

Besar Ademi  | 23.02.2018 - Përdıtësım : 24.02.2018
Protesta në Shkup, kërkohet zbardhja e “rasteve të montuara gjyqësore” Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Me iniciativë të Shoqatës së të burgosurve politikë shqiptar në Maqedoni dhe familjarëve të të akuzuarve në rastin “Lagja e Trimave”, dhjetëra qytetarë shqiptarë u tubuan në sheshin “Skenderbe” në Shkup për të shprehur revoltën e tyre kundër proceseve gjyqësore, sipas tyre të montuara dhe të fabrikuara, ku dënime kanë marrë qytetarë shqiptarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizatorët të cilët ishin tubuar nën moton “E vërteta në shesh, në burg dergjen njerëz-prindër të pafajshëm” kërkuan rigjykimin e rasteve, të cilat sipas tyre janë “aktgjykime të fabrikuara në bazë të dëshmitarëve të fshehur dhe të shpikur si dhe kundër dhjetëra shkeljeve procedurale në sjelljen e vendimeve për burg të përjetshëm për dhjetëra shqiptarë”.

Sipas kreut të Shoqatës së të burgosurve politikë shqiptar, Shpëtim Pollozhani, gjykatat e Maqedonisë janë të korruptuara. Ai theksoi se kërkojnë rigjykimin e rasteve dhe njëkohësisht gjykata të marrë parasysh dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse.

Pollozhani në vazhdim theksoi se protestojnë edhe për kushtet mizore në burgjet e vendit, për të cilat, siç tha ai, përveç mungesës së kushteve themelore për jetesë në burgje mbizotëron edhe korrupsioni, ku të burgosurit paguajnë para për të mbijetuar.

“Apelojmë deri te Ministria e Drejtësisë dhe institucionet që financojnë përmirësimin e kushteve nëpër burgje, institucionet ndërkombëtare, të ndalet korrupsioni në burg dhe institucionet të merren me amnistinë, me falje, zbritje të dënimit, dënimit me kusht, përsëritje të gjykimit... dhe, me këtë të mos merren të burgosurit e ndërmjetësuar dhe të punësuarit e korruptuar”, deklaroi Pollozhani.

Pas fjalimeve të disa organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë, protestuesit marshuan deri para ndërtesës së Gjykatës së Apelit – Shkup. Pas disa minutave brohoritjesh para ndërtesës së Gjykatës së Apelit, protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.

Protesta të këtilla pati edhe në fund të vitit të kaluar, kur protestuesit kërkuan rigjykimin e rastit “Lagja e Trimave”, vendim i cili sipas tyre është “i montuar politikisht”.

Ndryshe në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale e Shkupit shqiptoi aktvendimin për 37 të akuzuarit të grupit të armatosur të Kumanovës për ngjarjet e vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”. Tetë të akuzuar u dënuan me burg të përjetshëm, katër të tjerë u shpallën të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër morën dënime prej 12 deri në 40 vjet burg.

Të dënuarit u akuzuan për veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”. Prej të akuzuarve të cilët u ngarkuan me veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”, 16 janë shtetas të Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, një shtetas i Gjermanisë, ndërsa pjesa tjerët janë shqiptarë nga Maqedonia.

Kujtojmë se më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë maqedonase. Gjatë përleshjeve u vranë tetë policë të forcave speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 40 të tjerë u plagosën. Në përleshje, po ashtu u vranë edhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.