BALLKANI

Protestë në Shkup kundër ndotjes së ajrit

Qytetarët e tubuar të cilët protestuan në mënyrë të qetë kërkuan që të zbatohen masa të cilat do të kontribuojnë në uljen e ndotjes së ajrit, i cili negativisht ndikon mbi shëndetin e qytetarëve të Shkupit

Admir Fazlagikj  | 16.12.2017 - Përdıtësım : 17.12.2017
Protestë në Shkup kundër ndotjes së ajrit Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (АА) – Para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në Shkup sot është mbajtur një protestë, ku qytetarët kanë kërkuar që institucionet të ndërmarrin masa urgjente kundër ndotjes së ajrit, raporton Anadolu Agency (AA).

Qytetarët e tubuar të cilët protestuan në mënyrë të qetë kërkuan që të zbatohen masa të cilat do të kontribuojnë në uljen e ndotjes së ajrit, i cili negativisht ndikon mbi shëndetin e qytetarëve të Shkupit.

Një pjesë e masave të cilat u theksuan në protestën e sotme janë pastrimi urgjent i të gjitha rrugëve kryesore dhe dytësore në Shkup, ndalesë për trafik në ditët më të ndotura përveç për automjetet e zjarrfikësve, policisë, ndihmës së shpejtë, automjeteve zyrtare për dërgesë mallrash, transport falas publik dhe heqjen e automjeteve të vjetra të cilat ndotin ajrin.

Po ashtu, qytetarët kërkuan edhe ndalesën e aktiviteteve ndërtimore në periudhën e ajrit të ndotur (nëntor, dhjetor, janar), subvencionim për qytetarët për ngrohjen, monitorim urgjent dhe transparent të reparteve industriale dhe ndihmë për familjet që nuk kanë financa për ngrohje.

Mes tjerash në protestën u porosit se ndotja e ajrit veçmas i shqetëson për shkak të fëmijëve, sepse, siç thonë, cilësia e ajrit më shumë ndikon në shëndetin e fëmijëve. Protesta u paralajmërua dhe organizua në rrjetet sociale me sloganin “Ngrihuni për ajër të pastër”.

Ditëve të fundit, kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, përballet me ndotje enorme të ajrit, ku u regjistrua nivel i lartë i grimcave PM 10.

Qeveria miratoi masa urgjente kundër ndotjes së ajrit

Qeveria e Maqedonisë dje njoftoi se ka miratuar një sërë masash urgjente kundër ndotjes së ajrit. Me masat urgjente rekomandohet që të lirohen nga detyrat e punës gratë shtatzëna, personat mbi moshën 60 vjeç, personat me astmë kronike, ndalesë për zhvillimin e ndeshjeve sportive dhe manifestime tjera në të hapur dhe sigurimin e kushteve për aktivitet të rritur të ndihmës së shpejtë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın