BALLKANI

"Për miratimin e demarkacionit nevojitet pëlqimi i Listës Serbe dhe Vetëvendosjes"

"Tani ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Zülfiya Yakup  | 19.02.2018 - Përdıtësım : 20.02.2018
"Për miratimin e demarkacionit nevojitet pëlqimi i Listës Serbe dhe Vetëvendosjes"

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Me rastin e shtyrjes së seancës së Kuvendit të Kosovës në të cilën duhej të shqyrtohet marrëveshja për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se çështja e demarkacionit kërkon konsulta me të gjitha grupet parlamentare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin për mediat, Haradinaj theksoi se thirrja e seancës për të dielën ishte nga vullneti i madh dhe i mirë pas arritjes së marrëveshjes mes presidentëve të të dyja shteteve, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviç, por se tema e demarkacionit është temë që ka pritur me vjet dhe kërkon konsultë me të gjitha grupet parlamentare, me të gjithë deputetët me kujdes, sipas tij, në mënyrë që të jetë një seancë e përgatitur mirë.

Ai shtoi se ka një ndryshim në gjendjen faktike, se ka një marrëveshje mes presidentëve, e cila flet për opsionin e rishikimit dhe të korrektimit të gjendjes në drejtim të Çakorrit dhe Kullës.

"Me gjithë dyshimet, marrëveshja është një materie mes dy presidentëve (Thaçi dhe Vujanoviç). Unë si kryeministër kam punuar gjithë kohës për këtë marrëveshje, në substancën e saj dhe i falënderoj të gjithë që kanë qenë të angazhuar”, tha Haradinaj.

Sipas tij, kjo marrëveshje dhe Ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Kuvendit të Kosovës, duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku."

Kemi humb gati 3 vjet për këtë dhe ndoshta na shkon edhe një javë, por duhet të jemi të përgatitur dhe të kemi kujdes në përgatitjen e seancës, por nuk ka kthim prapa. Jemi në proces të zgjidhjes së çështjes së demarkacionit. Historia do ta tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk kishim arritur ta bëjmë të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tani ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”, tha ai.

Për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, nevojitet votimi me dy tretat, më saktë, 81 nga 120 deputetët e Kosovës, ndërkohë që koalicioni qeveritar ka 61 deputetë.

Ndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın