BALLKANI

Përfaqësuesit ndërkombëtar në Shkup, dënojnë "sulmin e organizuar ndaj Kuvendit"

“Shprehim shqetësimin tonë të thellë për dështimin e autoriteteve në parandalimin e incidenteve dhe që nuk arritën të sigurojnë mbrojtjen e nevojshme për deputetët dhe gazetarët e pranishëm”

Granit Osmani  | 29.04.2017 - Përdıtësım : 29.04.2017
Përfaqësuesit ndërkombëtar në Shkup, dënojnë "sulmin e organizuar ndaj Kuvendit" Foto: AA/Besar Ademi

Shkup

SHKUP (AA) – Delegacioni i Bashkimit Evropian, Ambasada Amerikane, Misioni i OSBE-së dhe Zyra Ndërlidhëse e NATO-s në Shkup përmes një deklarate të përbashkët dënuan incidentet e mbrëmjes së të enjtes në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, duke i quajtur “sulm të organizuar ndaj Kuvendit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton delegacioni evropian në Shkup, deklarata e përbashkët vjen pas një takimi mes përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shkup në të cilin diskutuan rreth incidenteve në Kuvend dhe për të rishikuar situatën e sigurisë.

“Shprehim shqetësimin tonë të thellë për dështimin e autoriteteve në parandalimin e incidenteve dhe që nuk arritën të sigurojnë mbrojtjen e nevojshme për deputetët dhe gazetarët e pranishëm. Sulmi ndaj një institucioni shtetëror që është zemra e demokracisë është sulm ndaj vetë demokracisë”, theksohet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se ndërkombëtarët presin që këto krime të hetohen me shpejtësi, organizatorët dhe kryesit e sulmeve të sillen para drejtësisë dhe gjykatat të veprojnë në mënyrë të pavarur.

Ata theksojnë se presin që institucionet shtetërore të nxjerrin me shpejtësi implikimet e nevojshme dhe të ndërmarrin hapat e duhura, pasi që, siç thonë, dhuna nuk është opsion për përparimin e vendit dhe shoqërisë së saj.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që të sillen me përgjegjësi dhe të japin kontributin e tyre në procesin paqësor demokratik, i cili duhet të lejohet të ecën përpara”, apelohet përmes njoftimit, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të jenë të përmbajtur, t'u shmangen provokimeve dhe ta ruajnë qetësinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.