BALLKANI

Rama: Dinamikë e re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Collomb, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit mes tyre, duke u ndaluar në bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, etj

Saimir Alija  | 15.12.2017 - Përdıtësım : 16.12.2017
Rama: Dinamikë e re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb, ka vizituar sot Shqipërinë, ku është takuar me drejtues të lartë të vendit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Collomb, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit mes tyre, duke u ndaluar në bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama në fjalën e tij, theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës janë në një dinamikë të re dhe bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet në vijim.

“Diskutuam mbi vullnetin dhe dëshirën që mes Shqipërisë dhe Francës marrëdhëniet të forcohen në vijimësi dhe bashkëpunimi të thellohet hap pas hapi. E informova ministrin Collomb, lidhur me zhvillimet në Shqipëri si dhe sfidat që ne përballemi me ecurinë e reformës themelore në drejtësi, me rezultatet e prekshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe me pritshëmërinë tonë që në 6 mujorin e ardhshëm Shqipëria të marrë një rekomandim pozitiv dhe të pakushtëzuar të Komisionit Evropian dhe pastaj miratimin e Këshillit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësim”, tha Rama.

Përsa i përket emigracionit të paligjshëm dhe azil-kërkimit, Rama tha se është një rrugë pa krye dhe me kosto individuale dhe financiare, duke shtuar se: “Së bashku kemi punuar dhe do të punojmë, ne nga ana jonë jo vetëm me masat e mara, por edhe për të vazhduar ta bëjmë të qartë për të gjithë qytetarët shqiptarë, që rruga e azil kërkimit, jo vetëm që përbën në vetvete një rrugë të paligjshme, por nga ana tjetër përbën dhe një rrugë pa krye. Procesi i frenimit që ka nisur do të vazhdojë deri në fund". 

Ndërsa ministri Collomb, duke folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, tha se është shumë e rëndësishme që të vazhdohet përpara në këtë proces dhe shtoi se: “Kur presidenti Macron foli në lidhje me të ardhmen e Evropës, foli në veçanti për zonën e Ballkanit Perëndimor dhe tha që është shumë e rëndësishme që të stabilizohet ky rajon dhe se BE nuk mund t'i lërë vendet e Ballkani jashtë kësaj familjeje".

“Kur shoh gjithë progresin dhe rezultatet që janë arritur muajt e fundit, mund të them se jemi të kënaqur. Sot me ministrin e Brendsh zhvilluam një takim të gjatë mbi azilkërkuesit shqiptarë, sepse në vendet e strehimit që kemi në Francë për azilkërkuesit 20 për qind e zënë shqiptarët, të cilët kanë ardhur pa vizë, por që kanë kërkuar azil. Kjo është çështje që duhet të punojmë së bashku dhe autoritetet shqiptare kanë treguar shumë kurajë lidhur me këtë çështje delikate", u shpreh Collomb. Sipas tij, bashkëpunimi mes vendeve është i domosdoshëm, sepse "krimi i organizuar është global".

Ministri i Brendshëm i Francës është takuar edhe me homologun e tij shqiptar, Fatmir Xhafaj, ndërsa do të takohet edhe me presidentin e vendit, Ilir Meta. Collomb shoqërohet nga një delegacion i gjerë ku bëjnë pjesë deputetë, drejtues bashkish dhe drejtues të Policisë franceze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın