BALLKANI

Rama: Shqipëria është vend me potenciale të konsiderueshme për investime

Rama gjatë fjalës së tij theksoi se për ekonominë e Shqipërisë investimet e huaja direkte janë një domosdoshmëri jetike dhe sot përbëjnë sipas tij prioritetin e prioriteteve të qeverisë

Fatjon Cuka  | 26.10.2017 - Përdıtësım : 27.10.2017
Rama: Shqipëria është vend me potenciale të konsiderueshme për investime Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Konferenca me temë “Sfidat për rritjen e investimeve dhe aftësisë konkurruese të ekonomisë shqiptare”, ka mbledhur në Tiranë sipërmarrës dhe përfaqësues të kompanive nga vende të ndryshme të botës, ku në fokus janë diskutimet rreth investimeve të huaja në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e aktivitetit i cili do të vazhdojë gjatë gjithë ditës së sotme ishte i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të shoqatave të biznesit nga vendi dhe rajoni.

Rama gjatë fjalës së tij theksoi se për ekonominë e Shqipërisë investimet e huaja direkte janë një domosdoshmëri jetike dhe sot përbëjnë sipas tij prioritetin e prioriteteve të qeverisë.

Ai ka shtuar më tej se sot Shqipëria është një vend i sigurtë për të bërë biznes dhe "është një vend me disa potenciale të konsiderueshme të pashfrytëzuar, duke filluar nga turizmi."

"Sot falë reformave dhe bazës që kemi vendosur jemi në kushtet kur mund të zhvillojmë një model të ri ekonomik, të bazuar tek investimet prodhuese që krijojnë punësim real. Nga ana tjetër besoj se kemi bërë një hap të rëndësishëm për administratën. Ka ende probleme për të zgjidhur, që kanë të bëjnë me qasjen, me sjelljen dhe me shpejtësinë, për të krijuar një situatë që sipërmarrja të bëjë më të mirën. Kush investon sot në Shqipëri nuk do të pendohet kurrë nesër", theksoi Rama.

Në konferencë fjalë përshëndetëse mbajtën edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato.

Pjesë e aktivitetit janë politikëbërës, ekspertë të ekonomisë, sipërmarrës nga vendet e rajonit dhe më gjerë, përfaqësues të dhomave të tregtisë, që do të diskutojnë për disa tema me fokus në sektorët si infrastruktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe agro-përpunimi, inovacioni dhe teknologjia dhe tregjet financiare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın