BALLKANI

Shekerinska: Fokusi në vend kthehet në reformat kyçe dhe anëtarësimin në NATO

"Republika e Maqedonisë përsëri shihet si një subjekt i besueshëm në skenën ndërkombëtare, pasi është orientuar drejt reformës kyçe dhe anëtarësimit në NATO", tha Shekerinska

Admir Fazlagikj  | 14.09.2017 - Përdıtësım : 15.09.2017
Shekerinska: Fokusi në vend kthehet në reformat kyçe dhe anëtarësimin në NATO ( Admir Fazlagikj - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) - Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, mbajti sot një konferencë për mediat me rastin e 100 ditëshit të parë të qeverisë së re, në të cilën ka folur për aktivitetet kryesore që Ministria e Mbrojtjes i ka zbatuar në këtë periudhë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e saj, ministrja Shekerinska tha se në këtë periudhë theksi është vendosur në reformat kyçe të mbrojtjes si dhe në anëtarësimin në NATO, për të shtuar se është zhbllokuar edhe procesi i hartimit të një Shqyrtimi Strategjik të Mbrojtjes, i cili është një dokument kyç që përcakton reformat e mbrojtjes, ndërkohë që nuk ka munguar as përmirësimi i situatës së brendshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në armatë.

Në fjalimin e saj, Shekerinska tha se përkundër përcaktimit të qeverive të deritanishme, ajo ka gjetur ngecje në reformat në mbrojtje dhe procese të ndërprera.

“Fillimisht është rikthyer fokusi në reformat kyçe në mbrojtje dhe në anëtarësimin në NATO. Në ditën e parë në cilësinë e ministres së Mbrojtjes, u zotova se do të angazhohem për forcimin e kredibilitetit ndërkombëtar të shtetit, dhe të qëllimit strategjik të deklaruar që është anëtarësimi në NATO”, tha Shekerinska për të shtuar se një armatë profesionale është një tjetër zotim që ka bërë.

Pas 100 ditëshit të parë të qeverisë, tha më tej Shekerinska, për mua si ministre e Mbrojtjes, paraqet kënaqësi fakti se Republika e Maqedonisë përsëri shihet si një subjekt i besueshëm në skenën ndërkombëtare, pasi është orientuar drejt reformës kyçe dhe anëtarësimit në NATO.

“Nga vizita e parë zyrtare që kishim si qeveri në Bruksel dhe përmes takimeve me kolegët nga rajoni siç janë ata nga Shqipëria, Bullgaria, Sllovenia dhe Rumania dhe me përfaqësues të vendeve të NATO-s, ne në fakt ndryshuam qasjen e politikës së re të qeverisë, gjegjësisht, kthimin e shtetit në politikën e fqinjësisë së mirë, partneritetit dhe bashkëpunimit”, tha Shekerinska, sipas të cilës, qasja e re nënkupton përballje me problemet.

Nga aktivitetet, Shekerinska përmendi stërvitjen e përbashkët të ARM-së dhe Ushtrisë Amerikane "Dragon Guardian" në Krivollak në aktivitetet që kanë qenë në periudhën e kaluar.

Ajo tha se stërvitjet janë një konfirmim se Republika e Maqedonisë është një partner i besueshëm në të cilin NATO mund të mbështetet, ndërkohë që përmendi se është ristartuar procesi i bllokuar i Shqyrtimit Strategjik në Mbrojtje që është një dokument i cili definon qartë reformat në mbrojtje që është i rëndësishëm për anëtarësim në NATO.

"Kam hasur në një bllokadë të plotë të procesit për të bërë një shqyrtim strategjik të mbrojtjes. Është baza për një plan afatgjat të mbrojtjes për modernizimin e ushtrisë", tha ajo.

Në kontekstin e 100 ditëve të punës në Ministrinë e Mbrojtjes, Shekerinska tha se po punohet në mënyrë aktive për të përmirësuar gjendjen e brendshme në ministri dhe në armatë, për çka tha se angazhohen për rritjen e buxhetit të Mbrojtjes që i njëjti të arrijë obligimin prej dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın