BALLKANI

Shkup, BFI organizon akademi solemne me rastin e Vitit të Ri Islam

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në fjalën e tij foli për Hixhretin, duke iu referuar rëndësisë së kësaj ngjarje për Islamin si një fe dhe muslimanët si besimtarë të saj

Admir Fazlagikj  | 22.09.2017 - Përdıtësım : 23.09.2017
Shkup, BFI organizon akademi solemne me rastin e Vitit të Ri Islam ( Vedat Abdul - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) - Me një akademi solemne që u mbajt në Operën dhe Baletin e Maqedonisë (OBM) në Shkup, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFI) shënoi ardhjen e Vitit të Ri 1439 sipas kalendarit islam (Hixhri), i cili filloi të llogaritet me migrimin e Profetit Muhamed nga Meka në Medinë në vitin 622 sipas kalendarit gregorian, që njihet si Hixhret, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesit e jetës fetare në rajon, përfaqësues të trupit diplomatik në Maqedoni dhe personalitete nga jeta politike dhe sociale morën pjesë në ceremoninë ku ata kishin mundësinë për të dëgjuar leximin e pjesëve të librit të shenjtë Kuranit dhe vargje ilahish.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në fjalën e tij foli për Hixhretin, duke iu referuar rëndësisë së kësaj ngjarje për Islamin si një fe dhe muslimanët si besimtarë të saj.

“Shpërngulja apo Hixhreti i Muhamedit (s.a.) dhe i muslimanëve të asaj kohe nuk ishte ikje nga frika për jetën e tyre, por ishte një akt sakrifice e madhe e realizuar vetëm për hir të Allahut dhe në shërbim të fesë së vërtetë, ndërsa hixhreti në esencë ishte shpërngulje nga dobësia në fuqi dhe nga pesimizmi në optimizëm, gjegjësisht në shpresë për një të ardhme më të lumtur e më të ndritshme të Islamit”, deklaroi Rexhepi, duke theksuar se me Hixhretin te muslimanët fillon përparim i ri politik, shoqëror dhe ekonomik.

Publiku në akademinë solemne sonte kishte mundësi për të dëgjuar të ftuarit nga Turqia, Hafëz Ahmet Yüksel dhe Hafëz Alpcan Çelik që interpretuan me leximin e pjesëve të Kuranit dhe këndimin e ilahive.

Ndryshe, Hixhreti apo migrimi i profetit Muhamed nga Meka në Medinë ishte një ngjarje madhështore në historinë muslimane që u mundësoi muslimanëve të bëhen komunitet i organizuar shpirtëror, e cila vlerat e Islamit i përçoi në jetën shoqërore.

Kalendari islam ka 12 muaj, ndërsa çdo muaj, i cili fillon me shfaqjen e hënës së re, ka 29 ose 30 ditë, varësisht nga ndërrimi i hënës.

Dita e parë e muajit të parë sipas kalendarit islam, Muharrem, këtë vit përkoi me datën 21 shtator sipas kalendarit gregorian.

Kushtet, ritet fetare dhe manifestimet në ditë të rëndësishme në fenë islame kryhen sipas kalendarit islam.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın