BALLKANI

Shqipëria reagon ndaj Rusisë rreth "ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni"

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, duke iu drejtuar Rusisë shprehet se Shqipëria mbetet e interesuar për harmoni etnike, stabilitet dhe perspektivë euroatlantike të Ballkanit Perëndimor

Saimir Alija  | 19.01.2018 - Përdıtësım : 19.01.2018
Shqipëria reagon ndaj Rusisë rreth "ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni" Foto: AA/Arhiva

Tiranë

TIRANË (AA) - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar lidhur me deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e cila disa ditë më parë tha se deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni provokojnë marrëdhëniet ndëretnike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, duke iu drejtuar Rusisë shprehet se Shqipëria mbetet e interesuar për harmoni etnike, stabilitet dhe perspektivë euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

Nga kjo ministri shprehin keqardhje për, siç theksohet, "keqinterpretimet që Ministria e Jashtme e Rusisë i ka bërë deklaratave të kryeministrit Rama për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni".

"Në përgëzojmë miratimin e ligjit (ligji për përdorimin e gjuhëve) në Maqedoni pasi përmbush një nga angazhimet sipas marrëveshjes së Ohrit", thuhet në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Kujtojmë së Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar para disa ditësh lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama më 14 janar, sipas të cilit Partia Socialiste e Shqipërisë ka kontribuar për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.

Nga Ministria ruse e Punëve të Jashtme theksuan se këto deklarata të kryeministrit Rama konfirmojnë qëllimin e promovimit të “Platformës famëkeqe të Tiranës” të cilën, siç thanë nga atje, e ndihmoi z. Rama për ta hartuar.

“Këto zhvillime të reja janë plotësisht në përputhje me ambiciet e përhapura të Shqipërisë së Madhe, të cilat rrezikojnë integritetin territorial të disa vendeve në rajon”, u theksua në reagimin e Ministrisë së Jashtme ruse.

Më 11 janar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas këtij ligji, parashikohet që në të gjitha organet shtetërore të vendit, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që flitet nga 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe shkrimi i saj, në këtë rast gjuha shqipe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın