BALLKANI

Shënohet dita kundër trafikimit me njerëz

Përfaqësues të autoritetetve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, lokale, sot në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë kanë shënuar “18 Tetorin - Dita evropiane për luftë kundër trafikimit me njerëz”

Ekip  | 18.10.2017 - Përdıtësım : 19.10.2017
Shënohet dita kundër trafikimit me njerëz

Shkup/Tiranë/Prishtinë

SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) – Përfaqësues të autoritetetve shtetërore, të organizatave ndërkombëtare dhe atyre lokale që në fushëveprim kanë luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, sot në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë kanë shënuar “18 Tetorin - Dita evropiane për luftë kundër trafikimit me njerëz”, raporton Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast në kryeqendrën e Maqedonisë, Shkup u organizuaa një tryezë e rrumbullakët me temë “Trafikimi me njerëz, trendet kombëtare, format dhe sfidat e paraqitura”, ku debatuan përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe institucioneve që merren me trafikimin e qenieve njerëzore.

Identifikimi i trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedoni është reduktuar

Sonja Bozhinovska-Petrushevska, shefe e zyrës së Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Shkup, bëri të ditur se IOM në kuadër të aktiviteteve të saj në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, rreth viteve të 40-ta në nivel global ka identifikuar mbi 10 mijë vikitma të trafikimit, ndërsa vetëm nga viti 2006 deri në fund të vitit 2016, IOM ka identifikuar 50 mijë raste të këtilla.

Ndërsa, Jasmina Dimishkovska-Rajkovksa nga Organizata Joqeveritare “Porta e hapur”, që merret me trafikimin e qenieve njerëzore, theksoi në Maqedoni trendet e trafikimit të qenieve njerëzore gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar dhe identifikimi i këtyre rasteve shumë është reduktuar.

“Në vitin 2017 mund të them se nuk kemi asnjë viktimë të identifikuar në krahasim me vendet tjera fqinje ku në baza vjetore identifikohen rreth 150 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”, u shpreh Rajkovksa, duke shtuar se kjo ndodh për shkak të identifikimit të dobët të këtyre rasteve.

Rajkovska bëri të ditur se tani më kanë filluar me angazhimet për të ngritur ndërgjegjen e publikut se ekzistojnë rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, me qëllim që institucionet përkatëse të angazhohen më shumë mbi këtë çështje.

"Lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore është në fokusin e Qeverisë së Shqipërisë"

Eventi kryesor në Tiranë u organizua nga ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin, (IOM) të cilat organizuan konferencën kombëtare kundër trafikimit të personave me sloganin "Bashkë mundemi, ndalojmë trafikimin.

Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha se lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore është në fokusin e Qeverisë së Shqipërisë.

“Gjatë këtyre katër viteve, Shqipëria ka shënuar sukses në përpjekjet e saj në këtë luftë, duke u përqendruar kryesisht në fuqizimin e strukturave kombëtare të referimit për viktimat e trafikimit në nivel qendror dhe lokal, kontrollin e trafikimit të brendshëm, kryesisht të fëmijëve dhe të grave, përmirësimin e standardeve të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave. Këtë e dëshmon më së miri edhe Progres Raporti i fundit i BE”, theksoi Xhafaj. 

Sipas tij, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë do të vazhdojnë të jenë me tolerancë zero "ndaj kësaj plage".

Xhafaj ka shtuar më tej se “Pa dyshim në këtë luftë ne nuk mund të veprojmë të vetëm pa bashkëpunimin e vendeve të tjera fqinje, por jo vetëm. Kjo edhe për dy arsye madhore. E para për shkak se trafikimi i qenieve njerëzore përmban forma të dhunshme të krimit, dhe e dyta sepse trafikimi nuk ka vetëm viktima të drejtpërdrejta, pasi është një ndër shkaqet e formave të tjera të krimit të organizuar. I gjithë territori i Republikës së Shqipërisë, në nivel lokal e qendror, në kryeqytet, në rrethe apo edhe në zonat më të thella do të duhet të jetë nën një kontroll edhe më të rreptë me synimin për të parandaluar, dhe për të reaguar shpejt ndaj dukurive të tilla”.

Të pranishëm në këtë aktivitet të orgnizuar në kundër të Ditës Evropiane Kundër Trafikimit të Personave, ishin edhe ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, etj.

Kosova dhe BE-ja së bashku tregojnë përkushtimin kundër këtij llojit të krimit

Ndërkohë në Prishtinë, për të shënuar ditën ndërkombëtare të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës organizoi një konferencë në të cilën kryeministri i Kosovë, Ramush Haradinaj tha se dita e sotme është moment i mirë që të dërgohen porosi të qarta që qeveria e kupton seriozisht rëndësinë e kësaj teme. Haradinaj po ashtu tha se Kosova dhe BE-ja së bashku tregojnë përkushtimin kundër këtij llojit të krimit.

“Parandalimi i këtij lloji të krimit specifik duhet të bëhet me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni në fuqi. T'i identifikojmë dhe t'i ndëshkojmë bartësit e këtij krimi. Kapaciteti ynë veprues dhe ekspertiza jonë duhet të avancohet. Me rëndësi është dhe bashkëpunimi rajonal dhe ai me BE-në. Një element që duhet ta kemi parasysh, çdo lloj i krimit e ushqen një lloj të krimit tjetër. Trafikimi me qenie njerëzore mund të jetë bazë edhe e llojeve tjera të krimit”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, Shefja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova tha se trafikimi me njerëz është një shkelje e rëndë e të drejtave elementare të njeriut duke theksuar se ky lloj i krimit është një industri bilionëshe ku prek shtresat e shoqërisë. Ajo nënvizoi se BE-ja ka një qasje multidisiplinore për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave, me ç'rast tha se BE-ja dëshiron të ndihmojë Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz “duke ndarë përvojën dhe ekspertizat e BE-së me mjete të ndryshme”.

“Luftimi i trafikimit me njerëz është përgjegjësi e përbashkët e gjithë neve. Kosova ka një rol të rëndësishëm në adresimin e këtij problemi dhe BE-ja është krahpërkrah me Kosovën në luftimin e këtij fenomeni negativ”, tha Apostolova.

Ajo tha se BE-ja do të bëjë një thirrje që të përfshihet edhe shoqëria civile në çrrënjosjen e trafikimit i cili është proces i rëndë ku duhet të kalojë nëpër disa faza si baza gjinore, luftimi i varfërisë, e veprime të tjera.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Kosovës, Skender Reçica tha se tema e sotme është ndër problemet më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Reçica bëri të ditur se MPMS ofron mundësinë e qasjes së barabatë në shërbimet sociale pa asnjë dallim për të gjithë banorët e Kosovës. Ai shtoi se trafikimi me qenie njerëzore është një sëmundje shoqërore e cila duhet çrrënjoset.

“Ne do të punojmë të gjithë së bashku për të parandaluar trafikimin duke mbrojtur viktimat dhe duke dënuar krimin. Për viktima ne duhet të ofrojmë siguri e kushte rehabilitimi ndërsa për krimin drejtësia duhet të thotë fjalën e saj”, tha Reçica.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın