BALLKANI

TAV Maqedoni promovon linjën e re ajrore Shkup-Mynih

Kjo linjë e drejtpërdrejtë ajrore do të fluturojë nga kryeqyteti i Maqedonisë në qytetin gjerman dy herë në javë, ndërsa çmimet më të ulëta do të fillojnë nga 39.99 euro

Besar Ademi  | 17.08.2017 - Përdıtësım : 18.08.2017
TAV Maqedoni promovon linjën e re ajrore Shkup-Mynih Fotoreporter: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Duke filluar nga 31 tetori i këtij viti kompania ajrore “Eurowings” do të hap linjën e re ajrore Shkup-Mynih, me të cilën do të lidh aeroportin e Shkupit “Aleksandri i Madh” me atë ndërkombëtar në Mynih “Franz Josef Strauss”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo linjë e drejtpërdrejtë ajrore do të fluturojë nga kryeqyteti i Maqedonisë në qytetin gjerman dy herë në javë, përkatësisht të martën dhe të premten, me aeroplan të tipit Airbus A320-200 që ka kapacitet prej 174 ulëseve. Siç është parashikuar, çmimet më të ulëta për biletat e kësaj linje ajrore do të fillojnë nga 39.99 euro.

Drejtor i përgjithshëm i “TAV Maqedoni”, Alper Ersoy, tha se linja ajrore e drejtpërdrejtë Shkup-Mynih është një përfitim për të dyja anët, pasi që do ta gëzojnë qytetarët e të dy shteteve. 

“Ne kemi qenë në bisedime gati për një vit dhe më në fund ata vendosën që të fluturojnë nga Shkupi në Mynih. Mendoj se ky fluturim do të jetë tejet i rëndësishëm, sepse jo vetëm se qytetarët do të kenë qasje të drejtpërdrejtë nga Shkupi në Mynih, por do të mund të lidhen edhe me vendet tjera evropiane”, deklaroi Ersoy. 

Nga ana tjetër, drejtor i zhvillimit të rrjetit të linjave “Eurowings”, Ivan Orec, theksoi se Maqedonia do të jetë vendi i 31 që përfshihet në rrjetin e kompanisë së tij. Ai shtoi se kjo linjë ajrore do të sigurojë mundësi të reja për përforcimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Gjermanisë.

TAV Maqedoni, kompania ajrore që menaxhon dy aeroportet në Maqedoni, në shtatë muajt e parë të vitit 2017 shënoi rritje prej 8 për qind të numrit të pasagjerëve, duke arritur gjithsej 1.089.906 pasagjerë në të dy aeroportet e Maqedonisë, atë të Shkupit “Aleksandri i Madh” dhe atë të Ohrit “Shën Apostol Pavle”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.