BALLKANI

Thaçi: FSK tani është e gatshme për transformim

“FSK-ja i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe detyrat që i jep korniza e tashme ligjore që rregullon funksionimin e saj. FSK tani është e gatshme për transformim, që të bëhet ushtri”

Figen Shaban  | 14.03.2017 - Përdıtësım : 15.03.2017
Thaçi: FSK tani është e gatshme për transformim

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot mori pjesë në tryezën e diskutimit “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara”, organizuar nga Fondacioni Friederich Ebert Stiftung në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalimit të tij, Thaçi tha se janë krijuar të gjitha kushtet dhe korniza ligjore që FSK të transformohet në ushtri të Kosovës. Sipas tij me projektligjin për transformim, FSK merr misionin dhe detyrat e reja "që e bëjnë atë ushtri moderne, profesionale, multietnike dhe të gatshme për t'i mbrojtur qytetarët e Kosovës, si dhe për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit".

“FSK-ja i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe detyrat që i jep korniza e tashme ligjore që rregullon funksionimin e saj. Tani janë krijuar kushtet që ajo të lëvizë tutje në rritjen e saj. FSK tani është e gatshme për transformim, që të bëhet ushtri”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit ngurrimi i BE-së për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, ka hapur rrugën e ndikimeve tjera në rajon që janë sipas tij kërcënime për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. “Prandaj është urgjente që të ngrihen kapacitetet e FSK-së që të mbrohemi nga kërcënimet në rajon”, tha Thaçi.

Ai po ashtu bëri të ditur se aspirata për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës është e njohur për të gjithë që një kohë të gjatë, e cila sipas tij është përkrahur edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Më tutje Thaçi tha se Serbia ruan të njëjtat politika kundër Kosovës të cilat sipas tij kanë shkaktuar luftë dhe gjenocid në të kaluarën.

Ndryshe, Thaçi më 7 mars ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli projektligjin për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Kurse një ditë më pas ky projektligj u procedua nga kryesia e Kuvendit të Kosovës për në Qeveri dhe pritet që së shpejti të kthehet në Kuvend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın