BALLKANI

Thaçi: Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj

"Zgjidhjet për problemet e komuniteteve duhet të vijnë nga vetë komunitetet, ndërsa ne duhet t'i përkrahim këto zgjidhje", tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Figen Shaban  | 26.07.2017 - Përdıtësım : 27.07.2017
Thaçi: Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj Fotoreporter: Zülfiya Yakup / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti mbledhjen e radhës të përgjithshme me Këshillin Konsultativ për Komunitete, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi në fillim të mbledhjes tha se si president është i angazhuar për promovimin e dialogut të brendshëm në mes të komuniteteve dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete është një mundësi e mirë për të promovuar këtë dialog edhe në muajt në vijim në mes të grupeve punuese me institucionet tjera të vendit.

"Zgjidhjet për problemet e komuniteteve duhet të vijnë nga vetë komunitetet, ndërsa ne duhet t'i përkrahim këto zgjidhje. Prandaj është i rëndësishëm Këshilli Konsultativ për komunitete, sepse këtu mund të artikulohen zgjidhje nga komuniteti për komunitetin. Dhe, këto zgjidhje të përcillen tek liderët politikë dhe institucionet qeverisëse që do t'i realizojnë ato. Prandaj ju inkurajoj edhe njëherë që të shtoni aktivitetin në kërkim të zgjidhjeve konkrete për problemet konkrete të komuniteteve", deklaroi presidenti Thaçi. 

Ai theksoi se Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare apo orientimit seksual. 

"Jemi shtet që ndërmerr politika afirmative për të promovuar të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe për të garantuar të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Për këtë angazhohem unë përsonalisht dhe institucioni që drejtoj. Dëshirojmë një Kosovë në të cilën të gjithë do të ndjehen të barabartë dhe në të cilën pa marrë parasysh përkatësinë e tyre do të jetojnë me dinjitet dhe prosperitet. Vetëm një Kosovë e re multietnike do të mund të jetë një garancë për të ardhmen e saj evropiane ", u shpreh presidenti Thaçi. 

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Gazmend Salijeviq, duke falëndeuar presidentin Thaçi për mbështetjen tha se nuk kanë pasur bashkëpunim të mirë me përfaqësues të disa ministrive të qeverisë së kaluar. 

"Ne me punën tonë në Këshill, kemi treguar se anëtarët e komuniteteve të ndryshme mund të punojnë së bashku, pa marrë parasysh se çfarë probleme të ndryshme kemi. Në momentin kur komuniteti serb ka një problem me tekstet shkollore, problem me kalimin e kufirit, ne të gjithë qëndrojmë prapa atij komuniteti. Apo kur kemi problem me diskriminimin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve apo komuniteteve të tjera, të gjitha komunitetet qëndrojnë prapa një komuniteti", tha Salijeviq.

Ndryshe, Këshilli Konsultativ për Komunitete vepron nën autoritetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, në të të cilin përfaqësohen të gjitha komunitetet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın