BALLKANI

Thaçi në Maltë: Jemi shtete të vogla, por me vlera të mëdha

Në ditën e dytë të vizitës në Maltë, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim me presidenten e këtij vendi, Marie Louise Coleiro Preca

Sibel Vezaj  | 06.12.2016 - Përdıtësım : 07.12.2016
Thaçi në Maltë: Jemi shtete të vogla, por me vlera të mëdha

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Në ditën e dytë të vizitës në Maltë, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim me presidenten e këtij vendi, Marie Louise Coleiro Preca, si dhe ka mbjellë një pemë në kopshtin e Pallatit Presidencial, “San Anton”, para se të përmbyllë vizitën me parakalim para Gardës së Nderit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca thuhet se në takimin në mes të dy krerëve të shteteve, presidentja Coleiro Preca i ka prezantuar presidentit Thaçi pullën postare me fotografi nga vizita në Maltë si dhe letrën e parë të dërguar me këtë pullë postare në adresë të presidentit Thaçi.

Në takim po ashtu është konfirmuar bashkëpunimi i mirë ndërmjet dy shteteve, dhe u identifikuan hapat konkretë që do të ndërmerren për të gjetur fushat në të cilat bashkëpunimi mund të zgjerohet dhe të thellohet.

“Në kopshtin e Pallatit Presidencial, 'San Anton, që është ndërtuar në shekullin XVII dhe ku është traditë që krerët e shteteve të mbjellin nga një pemë, presidenti Thaçi mbolli një pemë të llojit 'Plumeria Alba'", bëhet e ditur nga Presidenca.

Ndërkaq, një natë më parë, në darkën e shtruar nga presidentja malteze, Coleiro Preca, në të cilën ishin ftuar mbi njëqind mysafirë, duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, presidenti Thaçi ka thënë se historia nuk na ka takuar shpesh në të kaluarën, megjithatë na ka trajtuar njësoj.

“Por, ne kemi ruajtur identitetin tonë. Ia kemi dalë të ruajmë e të kultivojmë vlerat për të cilat sot jemi krenarë. Është e vërtetë që jemi shtete të vogla, popuj të vegjël, por kemi vlera të mëdha”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın