BALLKANI

TIKA ndihmë për Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë në Tiranë

Ministri Çelik ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të disa ambienteve sportive dhe konviktit të Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë në Tiranë, mundësuar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim

Malik Hasa  | 28.03.2017 - Përdıtësım : 29.03.2017
TIKA ndihmë për Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë në Tiranë ( Olsi Shehu/AA )

Tiranë

TIRANË (AA) – Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ministri turk i Ushqimit, Bujqësisë dhe Blegtorisë, Faruk Çelik, është takuar me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe më pas ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të disa ambienteve sportive dhe konviktit të Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë në Tiranë, mundësuar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA). 

Çelik ka parë nga afër punën që TIKA ka bërë në këtë institucion, ku ka zhvilluar një takim me drejtuesit e tij dhe më pas ka mbajtur një fjalë të shkurtër për nxënësit e pranishëm. 

Duke falënderuar TIKA-n për kontributin e dhënë për këtë institut, Çelik e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë projekt. 

"Dy fusha të bukura dhe një konvikt për ju janë shumë të rëndësishme. Por ne si Turqi nuk kontribuojmë vetëm për shkollën tuaj dhe për ju, por dërgojmë ndihmë në katër anët e botës për të gjithë nevojtarët, fëmijët që nuk kanë askënd dhe ndaj atyre që iu bëhet padrejtësi. Në Siri ka një luftë të madhe dhe atje po vriten fëmijë. Atje fëmijët po mbeten me aftësi të kufizuar. Ne ndihmojmë edhe këta fëmijë. Duhet të japim mësim njerëzor botës së larguar nga humanizmi", ka thënë Çelik dhe më pas ka shtuar se fëmijët që janë këtu duhet ta ndjejnë veten me fat pasi ka shumë të tjerë që nuk i gjejnë dot këto mundësi. 

Në vijim të fjalës së tij Çelik shtoi: "Detyra jonë është t'iu zgjasim dorën fëmijëve në nevojë që janë në të gjithë botën. Iu bëjmë thirrje edhe vendeve të zhvilluara të bëjnë projekte të ngjashme. Nëse ka diçka që quhet para dhe nëse ajo ka një vlerë, vendi ku do të gjejë vlerë janë projekte dhe shërbime të tilla. Fëmijët janë amanet i shoqërisë. Ne ju shikojmë si amanet juve dhe përmes TIKA-s vijmë tek ju me shërbimet tona. Luani sa më shumë në këto fusha dhe pushoni sa më mirë në konviktet e bëra për ju. Të mos harrojmë që persona me aftësi të kufizuara nuk janë ata që kanë probleme me duart, sytë, veshët, këmbët, etj, por janë ata që edhe pse i kanë të gjitha aftësitë e tyre, janë të pandjeshëm ndaj fëmijëve, njerëzve në nevojë dhe shoqërisë." 

Ministri Çelik tha gjithashtu se ata kanë ftuar fëmijët që janë këtu për të vizituar Turqinë. 

Ndërsa në fjalën e saj drejtoresha e Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë, Azbie Ramaj, vlerësoi maksimalisht ndihmën e dhënë nga TIKA për këtë institucion. Ajo duke e quajtur atë si përfaqësuese të Turqisë në Shqipëri tha se përmes një projekti ky institucion ka rikosntruktuar plotësisht konviktin dhe ka ndërtuar dy fusha sportive. 

‘’Kemi bashkëpunuar me shumë donatorë, por dua të them se bashkëpunimi me TIKA-n është më i suksesshëm, pasi përmes projekteve të prekshme ka ndikuar direkt në jetën e fëmijëve që rrinë këtu", thotë Ramaj dhe më pas shton se janë shumë të lumtur për një projekt i cili nuk është bërë i mundur që nga hapja e këtij Instituti që në vitin 1963.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.