BALLKANI

"Vepra e Skënderbeut e lidhur ngushtë me synimet shekullore të popullit shqiptar dhe maqedonas"

Me akademinë solemne dhe promovimin e pullës postare, në Maqedoni fillojnë manifestimet e ndryshme të përkushtuara për Skënderbeun, ndërsa manifestime të këtilla të ngjashme do të zhvillohen gjithashtu edhe në Shqipëri dhe Kosovë

Besar Ademi  | 17.01.2018 - Përdıtësım : 18.01.2018
"Vepra e Skënderbeut e lidhur ngushtë me synimet shekullore të popullit shqiptar dhe maqedonas" Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Në mesditë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u mbajt akademi solemne me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, ku dhe u promovua pulla postare e Postës së Maqedonisë me figurën e heroit kombëtar shqiptar, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se nëse shihen faktet historike të ndërlidhura me Gjergj Kastriotin, ka shumë elemente të asaj që sot për të gjithë ne, siç tha ai, është ideal dhe përcaktim strategjik, që është Evropa e bashkuar.

“Figura dhe vepra e Gjergj Kastriotit Skënderbeut është ngushtë e lidhur edhe me të gjithë ne që sot jetojmë në hapësirën e Republikës së Maqedonisë, respektivisht, me synimet shekullore dhe luftën e popullit shqiptar dhe maqedonas për liri dhe pavarësi”, deklaroi Xhaferi.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Faadis Rexhepi, tha se personalitete të caktuara të historisë me veprat dhe të arriturat e tyra kanë lënë gjurmë të fuqishme dhe të pashlyeshme në historinë e njerëzimit, duke e veçuar si të tillë edhe figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

“Pullat postare kanë vlerë të përhershme, duke udhëtuar nëpër botë promovojnë vlera të ndryshme kulturore dhe historike. Ata janë një libër i hapur në një pjesë të vogël letre, që i bashkojnë njerëzit, qytetet, kontinentet dhe gjuhët e ndryshme”, tha Rexhepi, duke iu referuar pullës postare të emetuar për të nderuar 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Me akademinë solemne dhe promovimin e pullës postare, në Maqedoni fillojnë manifestimet e ndryshme të përkushtuara për Skënderbeun, ndërsa manifestime të këtilla të ngjashme poashtu zhvillohen edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit është fryma "Skënderbegiane"

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka organizuar shënimin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut në sheshin "Skënderbeu" në Shkup, ku morën pjesë kuadro të lartë të kësaj partie dhe lideri i saj Ali Ahmeti.

Me këtë rast, kreu i BDI-së, kryeparlamentari Talat Xhaferi, ministra të kabinetit qeveritar dhe personalitete tjera nga jeta politike dhe shoqërore, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, vendosën kurora lulesh tek shtatorja e Skënderbeut në Shkup.

Në prononcimin e tij për gazetarët, Ahmeti tha se figura e heroit kombëtar Skënderbeu, gjatë shekujve ka qenë frymëzim për të gjithë popujt e shtypur dhe si e tillë mbetet një figurë qendrore dhe më emblematikja për të gjithë popujt liridashës.

"Sot me krenari mund të them se Marrëveshja e Ohrit është fryma 'Skënderbegiane', dhe ne me krenari këtë figurë të madhe sot e përkujtojmë, përkundër asaj që pushtues kanë bërë përpjekje në vazhdimësi që gjithçka të fshihet nga kujtesa e shqiptarëve, që heroi ynë kombëtar të mos lë gjurmë sepse kujtesa e tij paraqiste rrezik për të gjithë ata që përpiqeshin të vendosin sundime gjakatare mbi trojet e pushtuara të Ballkanit, dhe në veçanti të shqiptarëve”, tha Ahmeti.

Ndryshe, ky vit i është përkushtuar Skënderbeut. Kryeministri Edi Rama në muajin maj të vitit të kaluar deklaroi se vendimi i parë i qeverisë së re do të jetë shpallja e vitit 2018, si “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut”. Vendimi merret për të kujtuar heroin kombëtar shqiptar në 550 vjetorin e vdekjes së tij.

Skënderbeu, ka lindur më 6 maj 1405 dhe ka ndërruar jetë në moshën 62 vjeçare, më 17 janar 1468.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın