BALLKANI

Zëvendëskryeministri Lika pret doajenët e arsimit shqip në Maqedoni

Lika: Me këtë figurë të cilën sot e nderuam dhe e respektuam familjen e tij, ne sot po solidarizohemi me punën e madhe që kanë bërë kongresmenët tanë për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe

Besar Ademi  | 22.11.2017 - Përdıtësım : 22.11.2017
Zëvendëskryeministri Lika pret doajenët e arsimit shqip në Maqedoni Fotoreporter: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Me rastin e 22 nëntorit, Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit Shqip, nën patronazhin e Sekretariatit të Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në hapësirat e qeverisë u pritën dhe u nderuan në mënyrë solemne doajenët e arsimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Doajenët e arsimit shqip u pritën nga zëvendëskryeministri përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, Hazbi Lika, nën patronazhin e të cilit organizohen një sërë aktivitetesh për kremtimin e kësaj dite të veçantë në historinë e populit shqiptar.

Në pritjen e doajenëve të arsimit shqip, Zv/kryeministri Lika i ndau mirënjohje familjes së Xhevat Gegës, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar. Gega, banor i Strugës, është autor i më shumë se 100 punimeve shkencore, i shumë përkthimeve nga dhe në gjuhën shqipe të autorëve të njohur të huaj, si dhe ishte pjesëmarrës në mbi 20 simpoziume ndërkombëtare, ku trajtoheshin problematika të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe.

“Me këtë figurë të cilën sot e nderuam dhe e respektuam familjen e tij, ne sot po solidarizohemi me punën e madhe që kanë bërë kongresmenët tanë për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe më vonë edhe përmirësimin e gjuhës shqipe si gjuhë standarde zyrtare në vitin 1972”, tha Lika.

Në pritjen e doajenëve të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane, Bujar Osmani, si dhe ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji.

Pasditen e sotme do të vizitohet Muzeu i Alfabetit Shqip në Manastir, teksa e tërë ngjarja do të mbyllet me koncertin solemn, i cili tradicionalisht organizohet në këtë vend që sivjet do të mbahet në sallën e madhe të Institucionit nacional, Qendra për Kulturë dhe ku këtë vit parashihet të marrin pjesë figura të shquara shqiptare, ministra dhe pjesëmarrës nga komuniteti ndërkombëtar.

Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të Ditës së Alfabetit, në Manastir u mbajt tribuna shkencore kushtuar 109 vjetorit të Ditës së Alfabtit, ku të pranishëm ishin studiues të albanologjisë nga institucionet shkencore të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. I ftuar special ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga zv/kryeministri Hazbi Lika.

Ndryshe, Dita e Alfabetit Shqip apo “Kongresi i Manastirit” shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptarë më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga mbarë bota, miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Për popullin shqiptar “Kongresi i Manastirit” ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e tij më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore për popullin shqiptar si “Dita e Alfabetit”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın