Bisedimet për Sirinë ne Gjenevë

OKB paralajmëron për sabotimet në bisedimet për Sirinë në Gjenevë

Delegacioni i regjimit sirian njoftoi se do të kthehej në bisedime e paqes për Sirinë pesë ditë me vonesë pa dhënë arsyetim

Fatih Erel  | 07.12.2017 - Përdıtësım : 08.12.2017
OKB paralajmëron për sabotimet në bisedimet për Sirinë në Gjenevë

Gjenevë

GJENEVË (AA) – I dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Staffan de Mistura, ka paralajmëruar për sabotimet në bisedimet në vazhdim të paqes për Sirinë në Gjenevë, pasi delegacioni i regjimit njoftoi se do të kthehej në bisedime pesë ditë me vonesë pa dhënë arsyetim, raporton Anadolu Agency (AA).

Bisedimet e paqes për Sirinë të mbështetura nga OKB-ja vazhduan të martën e kaluar pa delegacionin e regjimit, pasi ekipi i regjimit sirian u largua javën e kaluar pa konfirmuar se do të kthehet. Delegatët e opozitës siriane kanë insistuar se lideri sirian, Bashar al-Assad, të mos jetë pjesë e një qeverie të përkohshme.

Lidhur me justifikimin e regjimit për të vonuar pjesëmarrjen, de Mistura tha se “nuk ka dëgjuar dikë”.

Duke theksuar se ai pa parakushte ka vazhduar diskutimet me delegacionin opozitar, de Mistura tha se delegacioni i regjimit pritet të mbërrijë në Gjenevë të dielën dhe se bisedimet do të vazhdojnë deri më 14 dhjetor.

Në lidhje me apelin e OKB-së për qasje humanitare dhe evakuim mjekësor të rreth 500 civilëve në Gutën Lindore, i dërguari i OKB-së për Sirinë tha se “Aty ka pasur zero rezultate. Kjo është shumë shqetësuese”.

Këshilltari i humanitar i OKB-së, Jan Egeland, shtoi se: “Ndjehem sikur dështova. Ndjehem se nuk kemi qenë në gjendje ta rregullojmë atë. Është me të vërtetë shqetësuese të marrësh çdo ditë fotografi nga fëmijët që janë gjithnjë e më shumë të kequshqyer dhe që po vdesin dhe ne nuk jemi në gjendje t’i ndihmojmë ata”.

Të mërkurën, delegacioni i unifikuar opozitar i Sirisë në Gjenevë kërkoi nga regjimi sirian të marrë pjesë në bisedimet e vazhdueshme të paqes.

Për aq kohë sa të duhet

“Ata duhet të sjellin delegacionin e tyre këtu. Do të qëndrojmë aq kohë sa të duhet”, tha zëdhënësi i delegacionit opozitar të martën në Gjenevë, Yahya Aridi, pas takimit me zëvendësin e të dërguarit të OKB-së për Sirinë, Ramzy Ezzeldin Ramzy.

Ndërsa, kryenegociatori i opozitës, Nasr al-Hariri, pas takimit të së martës me De Mistura-n, tha se: “Është përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar dhe e të dërguarit special për të njoftuar botën se cila palë është duke i hedhur poshtë negociatat”.

Muajin e kaluar, de Mistura propozoi bisedime të drejtpërdrejta midis palëve pa parakushte. Opozita e unifikuar pranoi ofertën, por delegacioni i regjimit refuzoi.

Raundi i fundit i besimeve filloi më 28 nëntor me takimet midis De Mistura-s dhe opozitës siriane. Delegatët e regjimit u këshilluan me De Mistura-n një ditë më vonë.

Ky raund i tetë i bisedimeve të paqes do të vazhdojë deri më 14 dhjetor.

Bisedimet “katër shporta” (një kushtetutë e re, qeverisje, zgjedhje dhe luftën kundër terrorizmit) janë diskutuar, si dhe çështje të tilla si të ndaluarit, të rrëmbyerit, personat e pagjetur dhe qasje humanitare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.