Bota

Artistja italiane që pikturoi djaloshin palestinez bën thirrje për solidaritet

Alessia Pelonzi ka përdorur fotografinë e Fevzi al-Xhunejdit, fëmijës palestinez të arrestuar nga forcat izraelite, për të tërhequr vëmendjen në identitetin palestinez

Sorwar Alam  | 13.12.2017 - Përdıtësım : 14.12.2017
Artistja italiane që pikturoi djaloshin palestinez bën thirrje për solidaritet

Ankara

IBRAHIM KILIC dhe SORWAR ALAM

ANKARA (AA) - Artistja italiane Alessia Pelonzi, e cila ka rikrijuar fotografinë e një djaloshi palestinez 16 vjeçar, i arrestuar nga forcat izraelite, ka theksuar nevojën për solidaritet me Palestinën, raporton Anadolu Agency (AA).

Fotografia e Fevzi al-Xhunejdit me sy të lidhur duke u arrestuar nga më shumë se një duzinë ushtarë të armatosur rëndë, u përhap në rrjetet sociale javën e kaluar, ndërsa përdoruesit e tyre e dënuan forcën e tepruar të Izraelit ndaj fëmijëve.

Në pikturën e Alessia Pelonzit, vëmendja është tërhequr te Fevziu, kurse veshja e tij dhe mënga e uniformës së një ushtari janë pikturuar në ngjyrat e flamurit palestinez.

"Solidariteti është gjëja më e rëndësishme në këto kohëra të errëta dhe unë besoj se është një nga armët më të fuqishme kundër padrejtësisë", tha Pelonzi për AA në një përgjigje përmes postës elektronike.

"Ushtarët e marrin djaloshin, por, gjithsesi, mund ta shihni flamurin palestinez në vizatim. Është diçka që nuk mund të heshtet. Nuk mund ta fshini identitetin e tyre si një popull duke i injoruar", shton ajo.

Fevziu është akuzuar për hedhje të gurëve në drejtim të ushtarëve, gjatë protestave që shpërthyen kundër njohjes së Kudsit si kryeqytet i Izraelit nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Fotografia u shkrep në qytetin El Halil (Hebron) të Bregut Perëndimor më 7 dhjetor nga Abed Al Hashlamoun.

"Më bëri përshtypje aq shumë, saqë vendosa menjëherë të vizatoj diçka lidhur me këtë", tha Pelonzi.

"Ndjeva nevojën dhe urgjencën për të transmetuar diçka me artin tim dhe gjëja e parë që mendova ishte: 'Në rregull, do ta vendos flamurin palestinez në qendër të pikturës", shton ajo.

Ndryshe, shpallja e vendimit nga presidenti amerikan Donald Trump për Kudsin u pasua nga trazira, në të cilat të paktën katër palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe rreth një mijë e 800 janë plagosur.

"Për mua është shumë e rëndësishme të tregojmë, madje edhe nga jashtë, se mund të vendosim të jemi në anën e drejtë të kësaj përplasjeje tragjike, në mënyrë që t'i japim fund sa më parë dhe t'ua garantojmë palestinezëve drejtësinë që meritojnë", tha artistja italiane Pelonzi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.